Të dyshuarës për vrasjen e Saime Domazetit i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj
Foto: Laura Hasani

Të dyshuarës për vrasjen e Saime Domazetit i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj

Kronika January 26, 2023 - 15:39

Gjykata Themelore në Prizren, me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, më 25 janar 2023, ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj të dyshuarës N.A., e cila po dyshohet se ka vrarë kunatën e saj, Saime Domazeti.

Në vendimin e siguruar thuhet se masa a paraburgimit ndaj të pandehurës N.A. i vazhdohet deri më 27 mars 2023.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se, gjykatësi i procedurës paraprake ka vlerësuar se kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit është e bazuar.

Tutje, në vendim thuhet se, gjyqtari i procedurës paraprake gjen se janë përmbushur kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, sepse në këtë çështje penale kanë filluar hetimet ndaj të pandehurës për veprën penale të lartcekur dhe në vijim të procedurës penale do të merret deklarimi i të pandehurës.

Po ashtu, në arsyetim thuhet se do të dëgjohen dëshmitarë, andaj nëse e pandehura lihet në liri në këtë fazë të procedurës penale ka arsye për të besuar se e njëjta do të dëmtoj provat e kësaj vepre penale, si dhe duke ndikuar në dëshmitarë dhe në këtë mënyrë mund të vështirësojnë zhvillimin e hetimeve.

“Gjykata, ka vlerësuar edhe masat tjera për sigurimin e prezencës së të pandehurës në kuptim të nenit 173 të KPP-së, por duke pasur parasysh të lartcekurat, në këtë rast çdo mase tjetër që do të caktohej për këtë rast më e butë do të ishte në kundërshtim me natyrën e zhvillimit të hetimeve penale dhe kushtet mbi të cilat është vazhduar paraburgimi”, thuhet në vendim.

Ndryshe, më 29 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prizren, Gjykatësi Xheladin Osmani, ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarës N.A. në afatin kohor prej 30 ditësh.

Ndryshe, e pandehura N.A. gjatë seancës së paraburgimit e pranoi se e ka rrahur për vdekje viktimën.

“Po e kam rreh vallahin, e kam rreh, mas 3-4 dite ka vdek. Po i dhashë ndihmë sa munda, po qaq munda, motër të burrit e kam pas, që 26 vjet u kanë në shpi teme, e kam ruajt, jam kujdes”, tha e dyshuara.

E dyshuara N.A. është arrestuar të martën dhe në prani të mbrojtësit të saj e ka pranuar se ka kryer vrasjen e tani të ndjerës S.D.

E ndjera S.D. u gjet pa shenja jete të hënën në fshatin Kuk të Dragashit, ndërsa rasti fillimisht ishte hapur si vdekje e dyshimtë. /BetimipërDrejtësi