Plagosja e dyfishtë në Shtërpcë, avokati i Kurtajt: Do të ankohemi në Gjykatën e Apelit

Plagosja e dyfishtë në Shtërpcë, avokati i Kurtajt: Do të ankohemi në Gjykatën e Apelit

Kronika January 09, 2023 - 13:07

Azem Kurtaj, pjesëtar i FSK-së, të premtën është përfshirë në një ngjarje në komunën e Shtërpcës, që përfundoi me plagosje të dyfishtë, e cila nxiti reagime të ndryshme në Prishtinë dhe Beograd.  

Mbrojtja e tij, Naim Ferati, tha të hënën se brenda afatit ligjor do të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit për të rrëzuar vendimin e shkallës së parë, i cili e la Azem Kurtajn në paraburgim për një muaj.

Në njoftimin e Gjykatës u tha se pjesëtari i FSK-së ka shtënë në drejtim të dy vëllezërve, por avokati tha së ai ka shtënë në tokë dhe jo në drejtim të tyre. Njësoj si avokati ishte shprehur edhe nëna e viktimës në ditën kritike.

Të plagosurit, 11 vjeç e 21 vjeç, ndodhen jashtë rrezikut për jetë, ndërsa për ngjarjen ka deklarata të ndryshme.

Lidhur me këtë situatë, avokati Naim Ferati rithekson se Azem Kurtaj ka shtënë me armë zjarri në vetëmbrojtje.

“Ne në afatin ligjor do të paraqesim ankesë në shkallën e dytë, në Gjykatën e Apelit, ku do të kundërshtojmë aktvendimin e gjykatë slidhur me caktimin e masës së paraburgimit për faktin se gjendja faktike e cila është paraqitur nuk është reale dhe është e gabuar. Për arsye se e gjithë ngjarja ka ndodhur rastësisht derisa i mbrojturi nga ana ime ishte duke udhëtuar bashkë me një shok të tij për në Brezovicë për të drekuar dhe gjendet në momente të bllokimit nga masa e qytetarëve në rrugë, i sulmuar aty për aty dhe duke qenë i rrezikuar nga sulmi serioz me qëllim që të largohet nga aty ka nxjerrë armën fillimisht me qëllim që të largohen dhe të ecë rrugës së tij. Por ka shtënë me armë me qëllim që të largohet masa dhe hera e dytë ka qenë në dsrejtim të tokës dhe asnjëherë nuk ka shtënë në drejtim të masës, prandaj gjendja që është paraqitur nuk është reale është e gabuar”, tha Ferati për Express.

Ai thotë se turma e ka sulmuar atë dhe klienti i tij ka qenë shumë real dhe i sinqertë në deklarimet e tij.

“Ata e kanë sulmu në veturën që ka qenë ky, ka qenë i rrethuar dhe i bllokuar”.

I pyetur se për çfarë sulmi bëhet fjalë, avokati u shpreh “sulme kur personat të rrethojnë dhe provojnë me të goditë me mjete, e goditin veturën kështu që ky është sulm. Njeriu në kësi momente ndjehet i rrezikuar. Kjo ka ndodhur në vetmbrojtje”.

Avokati u shpreh se ky rast nuk ka asnjë motiv etnik apo qëllim.

“Kemi kundërshtu edhe kualifikimin që është në fazën paraprake i cili nuk do të qëndrojë shpresojmë deri në fund. Ka shtie në drejtim të tokës. Ndërsa pretendimet për mi dhanë ngjarjes epitete tjera, këto janë të paarsyshme”, përfundoi ai.

Edhe nëna e 11-vjeçarit që u plagos në Shtërpcë, ka deklaruar për mediat serbe se ka dëgjuar se i dyshuari ka gjuajtur në asfalt me armë, teksa plumbi ka goditur fëmijën e saj.

“Siç kam dëgjuar, fëmijët po bënin fotografi, të veshur me pemën e Krishtlindjes për natën e Krishtlindjes, ai burrë erdhi dhe qëlloi në asfalt rrugës, dhe plumbi ra me rikoshet në fëmijën tim”, tha nëna e djalit të plagosur.

Por çka u tha në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, kur u bë i ditur lajmi për një muaj paraburgim ndaj Azem Kurtajt?

Azem Kurtaj u la në paraburgim nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale, si: “vrasja e rëndë në tentativë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28; përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 paragrafi 1; shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 6 janar 2023, në një fshat të Komunës së Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t`i privoj nga jeta të dëmtuarit M.S. dhe S.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij dhe me të arritur në hyrje të fshatit, vëren disa qytetarë në skaj të rrugës dhe me qëllim që t`i largon, i njëjti bie borisë, në pamundësi që të lëviz tutje e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty e nxjerr revolen dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasoj e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin në Graçanicë. Gjithashtu, në kohë dhe vende të përshkruar si më lartë i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armë me leje, në atë mënyrë përderisa ka qenë në veturën e tij, ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve M.S. dhe S.S., e që si pasoj e goditjeve të njëjtit pësojnë lëndime trupore, me ç` rast me rastin e kontrollit të kryer nga ana e Policisë së Kosovës, arma së bashku me dy karikator dhe 35 cipë fishekë i sekuestrohen”, u tha në njoftimin e gjykatës.

Tutje, sipas Gjykatës së Ferizajt “ekziston dyshimi i bazuar se më 6 janar 2023 në Komunën e Shtërpcës, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madhe për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij në pamundësi që të kyqet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revole shtënë pesë herë në ajër”.

Për këtë ngjarje të dielën u mbajtë edhe protestë në Shtërpcë.

Protesta ka kaluar e qetë dhe nuk është raportuar për incidente.