Raportohet se është kërcënuar deputetja Ganimete Musliu

Raportohet se është kërcënuar deputetja Ganimete Musliu

Kronika December 03, 2022 - 19:24

Zyrtarët shtetërorë, duke përfshirë edhe pozita të larta të shtetit shpesh kanë qenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme dhe si rrjedhojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia. Për një rast të tillë tashmë ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas denoncimit të një rasti ku viktimë është një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për deputeten e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e cila dyshohet se është kërcënuar nga një qytetar në rrjete sociale.

Sinjali mëson se sipas informacioneve të para, i dyshuari ka kanosur Musliun pas një shkrimi që kjo e fundit ka publikuar në faqen e saj zyrtare në rrjetin social Facebook.

Kjo bëri që deputetja e PDK-së t’ia mësyjë Policisë për ta raportuar rastin, ku edhe ka dhënë deklaratën e saj para hetuesve policorë.Si rezultat i denoncimit, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për inicimin e rastit dhe nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale ‘Kanosja’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit për intervistim.