IPK-ja nis hetimet pas dyshimeve për neglizhencë nga ana e policëve për rastin e 35-vjeçares

IPK-ja nis hetimet pas dyshimeve për neglizhencë nga ana e policëve për rastin e 35-vjeçares

Kronika December 01, 2022 - 16:25

Mbrëmë para hyrjes së Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, 35-vjeçarja Hamide Magashi, e cila ishte në javën e fundit të shtatzënisë.

Pasi e ndjera kishte urdhër të mbrojtjes, tashmë Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK), ka filluar hetimet për dyshimin se rasti i saj mund të jetë neglizhuar nga ana e Policisë.

Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, ka thënë për “Zeri.info”, se tashmë kanë nisur hetimet dhe janë në fazën e grumbullimit të të dhënave.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga departamentet operative të IPK-së (Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve) të cilët janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve policorë në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë”, ka treguar Beka për “Zeri.info”.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se të gjitha veprimet e tjera të nevojshme do të ndërmerren bazuar në autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor të Kosovës në koordinim me institucionet tjera relevante.

35-vjeçarja Hamide Magashi dyshohet se është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, 31-vjeçar i cili edhe është në kërkim nga Policia e Kosovës.

Siç kanë treguar mbrëmë për “Zeri.info”, disa familjarë, i dyshuari në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj të ndjerës dhe pikërisht për shkak të kësaj dhune edhe ishin ndarë. /Zëri