Prokuroria jep detaje: 70-vjeçari nga Prishtina vrau gruan e tij me sëpatë

Prokuroria jep detaje: 70-vjeçari nga Prishtina vrau gruan e tij me sëpatë

Kronika November 25, 2022 - 10:40

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për vrasjen e rëndë që ka ndodhur në orët e para të ditës së premte, ku një 70-vjeçar ka vrarë gruan e tij.

Prokuroria ka njoftuar se me urdhër të prokurorit të Shtetit është ndaluar personi me inicialet I.G. (1952), për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Sot, rreth orës 04:40, në stacionin policor ‘Qendra’ është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në rr. ‘Mark Isaku’ në Prishtinë”.

“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pajetë”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se aktualisht nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me Policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti. /Zëri