Një muaj paraburgim 19-vjeçarit që dhunoi 12-vjeçaren në Ferizaj
Foto: Laura Hasani

Një muaj paraburgim 19-vjeçarit që dhunoi 12-vjeçaren në Ferizaj

Kronika November 22, 2022 - 12:37

Gjykata Themelore e Ferizajt ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të dyshuarit për dhunimin e një të miture.

Policia e Kosovës në raportin ditor ka njoftuar se një vajzë 12-vjeçare është dhunuar në Ferizaj, me ç’rast edhe është arrestuar i dyshuari.

E prokurori i rastit bëri të ditur se i dyshuari është një 19-vjeçar, i cili dyshohet se 12-vjeçaren e ka dhunuar në shtëpinë e tij në Ferizaj.

Gjykata Themelore tashmë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt dhe ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit D.S., shkruan “Zeri.info”.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda – Habib Zeqiri ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri më 20 nëntor 2022, në kohë të pacaktuar, në një fshat në komunën e Ferizajt, përkatësisht në shtëpinë e tij, ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – e mitur, e cila është nën katërmbëdhjetë (14) vjeç, me ç`rast ka kryer akt seksual me të dëmtuarën”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij. /Zëri