Rrjedha e ujit i mori përpara, gjenden trupat e pajetë të babë e bir në Malësi të Madhe

Rrjedha e ujit i mori përpara, gjenden trupat e pajetë të babë e bir në Malësi të Madhe

Kronika November 21, 2022 - 09:02

Pas 16 orësh kërkime intensive, palombarët kanë gjetur trupat e pajetë të babit e birit në gjatësinë e përroit, në Bogë, Malësi e Madhe.

Rrjedha e ujit mori para mesditën e djeshme makinën me të cilën po udhëtonin babai me dy fëmijët, vajzën dhe djalin.

Vajza ka shpëtuar mrekullisht dje, pasi është nxjerrë nga mjeti nga banorët e zonës, ndërsa babë e bir u morën para nga rrjedha e ujit të vrullshëm.

Makina me të cilën po udhëtonte Pjetër Gjoka së bashku me dy fëmijët e tij të mitur u mor nga rrjedha e ujit në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe.

Bogë është një fshat në ish-komunën e Shkrelit, në veri të Shqipërisë.

Me reformën e qeverisjes vendore të vitit 2015 u bë pjesë e Bashkisë Malësi e Madhe. 

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të informacion të dhënë mesditën e djeshme se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza), ju bëjmë me dije se:

Pas 16 orë kërkimesh intensive, gjatë pasdites së djeshme, gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotëm, nga polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në gjatësinë e përroit, në Bogë, u bë e mundur gjetja e dy trupave (babë e bir).