Një muaj paraburgim prizrenasit që theri me thikë fqinjin, i cili ia parkoi veturën para dyerve të shtëpisë

Një muaj paraburgim prizrenasit që theri me thikë fqinjin, i cili ia parkoi veturën para dyerve të shtëpisë

Kronika November 17, 2022 - 14:17

Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 15.11.2022 dhe mund të zgjasë deri më 15.12.2022 ndaj të pandehurit A.V., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të “Vrasjes në tentativë”.

Gjykata ka njoftuar se me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: “Më datë 14 nëntor, në orët e mbrëmjes, në Prizren, me dashje tenton të privojë nga jeta të dëmtuarin, B.V., në atë mënyrë që, për shkak të një mosmarrëveshjeje rreth pronës, në momentin që i dëmtuari parkon automjetin para dyerve të shtëpisë, i pandehuri me mjetë të prehtë – thikë e godet disa herë të dëmtuarin në kokë, qafë dhe shpatullën e majtë të krahut të pjesë së pasme, duke ia rrezikuar jetën të përshkruara si në Raportin Mjekësor të Qendrës Emergjente të Spitalit. Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, ka njoftuar Gjykata.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se me lënien në liri i pandehuri mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, pasi pas ngjarjes kritike i pandehuri është fshehur dhe prezenca e tij është siguruar nga ana e Policisë pas 24 orëve në kërkim.

Gjithashtu, Gjykata ka vlerësuar se faza hetimore është në fazën fillestare dhe në vazhdim duhet të dëgjohet i dëmtuari, dëshmitarët të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe të mblidhen edhe prova të tjera për të zbardhur ngjarjen e ndodhur.

Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprës penale, ose me qëllim të parandalimit të kryerjes së ndonjë vepre edhe më të rëndë penale. /Zëri