Aktakuzë ndaj personit që shiti pronat e Kosovës në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë

Aktakuzë ndaj personit që shiti pronat e Kosovës në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë

Kronika November 03, 2022 - 12:25

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Sh.M., në drejtim të veprave penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve”, si dhe veprën penale “Prezantimi i rremë si person zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri i lartcekur me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, ka mashtruar një numër të të dëmtuarve në qytetin e Tuzllës të Bosnjë e Hercegovinës dhe në Podgoricë të Malit të Zi, ku përmes falsifikimit të dokumenteve zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), si dhe prezantimit të rrejshëm si person zyrtar, kinse i autorizuar nga zyrtari i AKP-së, ka shitur dy prona të NSH “Jatex” të Gjakovës, në qytetet e lartcekura, e të cilat prona gjenden nën menaxhimin dhe administrimin e AKP-së.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri i lartcekur të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale, të cilat i vihen në barrë, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit”, thuhet në njoftim. /Zëri