Edhe një i arrestuar në lidhje me rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

Edhe një i arrestuar në lidhje me rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

Kronika November 02, 2022 - 10:59

Edhe një person është arrestuar në lidhje me rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, në qershor të këtij viti.

Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndërsa ka thënë se personi i moshës madhore është ndaluar për 48 orë dhe dyshohet për “Ndihmë në kryerje të veprës pena të dhunimit”, transmeton Zeri.info.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se në vazhdën e veprimeve intensive hetimore, me urdhër të prokurorit të Shtetit, ka ndaluar një person (madhor) në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Ndihmë’ (në kryerjen e veprës penale të dhunimit), sipas KPRK-së, lidhur me rastin e 11-vjeçares, në qershor të vitit 2022”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në gjykatën kompetente.

Ky është personi i 13-të që arrestohet për këtë rast. /Zëri