“Hala s’kam kry punë me ty”, “Kam qenë i dehur” – Detaje nga sulmi seksual ndaj Mrika Nikqit

“Hala s’kam kry punë me ty”, “Kam qenë i dehur” – Detaje nga sulmi seksual ndaj Mrika Nikqit

Kronika October 01, 2022 - 18:27

Gjykata e Pejës ia ka caktuar 30 ditë paraburgim Flori Beqirajt, personit që sulmoi seksualisht alpinisten Mrika Nikqi. Gazeta Nacionale ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës, ku avokati i të dyshuarit, ka thënë se ai ishte nën ndikimin e alkoolit.

Në vendim, gjyqtari i rastit ka gjetur se në rast të caktimit të ndonjë mase tjetër, i dyshuari rrezikon të arratiset dhe ta përsëritë veprën e njëjtë penale.

“Duke pasur parasysh peshën e veprës penale për të cilën dyshohet i pandehuri dhe atë për veprën penale për të cilën ligjvënësi ka paraparë dënim me burgim 3 deri në 10 vite, Gjykata ka vlerësuar se me lënien e tij në liri ekziston rreziku i ikjes me çka e pengon rrjedhën normale të procedurës penale ndaj tij”, thuhet në vendimin të cilin e ka siguruar gazeta.

Sipas vendimit të Gjykatës, i pandehuri pas kryerjes së sulmit i është drejtuar Mrika Nikqit me fjalët: “Hajt ti e sheh, hala s’kam krye punë me ty”. Bazuar në këtë deklaratë, Gjykata vlerëson se Flori Beqiraj do të mund ta përsëriste veprën e njëjtë penale.

“Gjykata ka vlerësuar edhe mundësinë e caktimit të ndonjë mase më të lehtë ndaj të pandehurit, mirëpo ka gjetur se masat e tjera të parapra me nenin 173 të KPP-së, në rastin konkret si dhe masat më të buta se paraburgimi, nuk ofrojnë siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal dhe të suksesshëm të procedurës penale, dhe nuk ka siguri të mjaftueshme për t’iu shmangur rrezikut të arratisjes apo përsëritjes së veprës penale”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Pejës.

Avokati i Flori Beqirajt, të dyshuarit për kryerjen e sulmit seksual ndaj Mrika Nikqit, ka treguar se klienti i tij ka qenë i dehur dhe nën ndikimin e alkoolit kur e ka kryer veprën. Me këtë deklaratë të avokatit, është pajtuar edhe vet i pandehuri, Flori Beqiraj.

“I dyshuari në tërësi e ka pranuar kryerjen e veprës penale dhe shpreh pendim të thellë dhe kërkon falje ndaj të dëmtuarës, dhe familjës së saj që e njeh sepse më parë ka pasur raporte të punës me babin e tëdyshuarit, fakti se i njëjti veprimet e veta i ka bë ashtu siç parashkruhen në propozim ai i ka pranuar, por fjalët të cilat i ka thënë e dëmtuara ‘hajt se e sheh ti hala s’kam krye punë me ty’, nuk i kujtohet t’i ketë thënë edhe vet ngjarja nuk i kujtohet sepse ka qenë jashtë normales”, thuhet në dosjen e Gjykatës.

Avokati Adem Gorani, më tutje ka përmendur disa rrethana lehtësuese që sipas tij ndaj Flori Beqirajt, mund të caktohet ndonjë masë tjetër.

“Nuk ka të kaluar kriminale, është Ii punësuar, ka të kryer fakultetin ekonomik dhe është i fejuar. Gjendja e tij ka qenë nën ndikimin e alkoolit, sipas tij tregon që sjelljet që i ka pasur gjatë kryerjes së veprimit nuk janë të tij, nuk ka qenë në gjendje që edhe vetë t’i shpjegoj. Duke marrë parasysh këto rrethana nuk mendoj që ka rrezik të arratisjes, dhe as të kryerjes së veprës së njëjtë penale, dhe propozoj gjykatës që të pandehurit t’i shqiptohet ndonjë nga masat alternative, të cilat janë adekuate, konkretisht propozoj masën earrestit shtëpiak”, thuhet në deklaratën e avokatit të Flori Beqirajt.

Megjithatë, këto kërkesa nuk u morën parasysh. Flori Beqiraj, i dyshuar për sulm seksual ndaj alpinistes Mrika Nikqi  do të qëndrojë në paraburgim për 30 ditë.