Sekuestrohen dhe asgjësohen narkotikë në vlerë prej 600 mijë eurove në Pejë

Sekuestrohen dhe asgjësohen narkotikë në vlerë prej 600 mijë eurove në Pejë

Kronika September 28, 2022 - 15:41

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për Luftimin e Narkotikëve, sot janë bastisur dhjetë (10) lokacione (Deçan dhe Gjakovë), ku janë ndaluar me urdhër të prokurorit të Shtetit shtatë (7) persona të dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres se kokainës ose kanabisit”, nga Neni 272 dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga Neni 267 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, gjatë bastisjeve në komunën e Gjakovës janë sekuestruar rreth 500 gramë narkotikë të dyshuar të llojit kokainë, ndërsa gjatë bastisjes në komunën e Deçanit në disa lokacione janë sekuestruar dhe asgjësuar rreth 180 bimë të mbjella të narkotikëve të llojit marihuanë, në sasi totale mbi 100 kilogramë, raporton Zeri.info.

”Gjithashtu, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar edhe armë, telefona, para ‘cash’ dhe prova të tjera materiale, të cilat do shërbejnë për ndriçimin e kësaj çështjeje penale. Vlen të theksohet se vlera totale e drogës së sekuestruar dhe asgjësuar është me se paku 600 mijë euro”, thuhet në njoftim.

Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor kundër shtatë (7) të pandehurve do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente. /Zëri