Gjobë të rëndë ferizajasit që voziti 152 km/h në zonën e 40 km/h

Gjobë të rëndë ferizajasit që voziti 152 km/h në zonën e 40 km/h

Kronika September 26, 2022 - 09:27

Një shofer 26-vjeçar ka marrë një gjobë të rëndë nga policia në Ferizaj për tejkalim të shpejtësisë.

Policia ka njoftuar se sot në orën 00:32 të mëngjesit ka ndaluar shoferin me automjetin e udhëtarëve, i cili në rrugën “Bajram e Gursel Sylejmani” në Ferizaj tejkaloi shpejtësinë, ku në zonën e kufizimit 40 km/h zhvilloi shpejtësi 152 km/h.

Në lidhje me këtë policia ndaj shoferit me inicialet A.A., i moshës 26-vjeçar, shqiptoi një gjobë, sipas Ligjit të komunikacionit rrugor, 500 euro, 5 pikë negative dhe një vit masë mbrojtëse heqje e patentë shoferit.

Sipas Policisë, ai në tërësi ka pranuar kundërvajtjen e shkaktuar.

“Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj apelon te shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë e kufizuar të lëvizjes. Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion”.

“Policia fton qytetarët të bashkëpunojnë për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë Policinë, stacionin më të afërt, ose përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ dhe në numrat kujdestarë: 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406. Të dhënat tuaja do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri

Image

Image