Policia arreston dy persona në Prishtinë, konfiskohen 400 kg kokainë

Policia arreston dy persona në Prishtinë, konfiskohen 400 kg kokainë

Kronika September 23, 2022 - 17:26

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka arrestuar dy persona pas hetimeve të kryera lidhur me rastin që ka të bëjë me konfiskimin 400 kg të substancave narkotike të llojit kokainë.

Sipas njoftim thuhet se, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në vazhdim të hetimeve për rastin që ka të bëjë me sekuestrimin e 400 kilogramëve të substancave narkotike të llojit kokainë, sot, më 23 shtator 2022, ka realizuar bastisje në dy lokacione, raporton Zeri.info.

Sipas urdhrit të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, përveç sigurimit të provave materiale, policia ka arrestuar dhe ndaluar dy (2) persona me inicialet H.SH dhe N.M, shtetas të Republikës së Kosovës, nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale, si në vijim: pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar lidhur me veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, si dhe për veprat penale të kryera në bashkëkryerje, pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare dhe frikësimi gjatë procedurës penale, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës do të vazhdojë procedurat e tjera ligjore në rastin konkret. /Zëri