Alarm për bombë në UP-së, policia rrethon objektin

Alarm për bombë në UP-së, policia rrethon objektin

Kronika May 17, 2022 - 17:41

Policia e Kosovës ka rrethuar objektin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës pasi në adresën elektronike të këtij institucioni ka ardhur një e-mail me përmbajtje kërcënuese.

Policia ka konfirmuar se bëhet fjalë për një kërcënim me bombë.

Lajmin rreth kësaj ngjarje e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës Agron Borovci, raporton Zeri.info.

Sipas tij, gjatë ditës së sotme rreth orës 15:00, Polcia ka marrë informatën se në rrugën " Bill Klinton" në Prishtinë, një person është sulmuar dhe kanosur nga kolegu i tij.

“Aktualisht policia ka nisur një hetim preliminar lidhur me rrethanat e këtij rasti, me qëllim ndriçimin e plotë të ngjarje. Por rreth orës 16:00, është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me rastin në fjalë për një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit "Hasan Prishtina" në Prishtinë”, ka thënë zëdhënësi i PK-së Agron Borovci.

Sipas Borovcit, informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë Borovci. 

Informacion shtesë: 

Policia nuk gjen mjet shpërthyes në Rektoratin e UP-së

Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata - alarmi ka rezultuar të jetë i rrejshëm.

Lajmin për Zeri.info e ka konfirmuar zëdhënësi i PK-së për rajonin e Prishtinës Agron Borovci.

“Policia nuk ka gjetur asnjë mjet shpërthyes në objektin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, që vlen të cekët se alarmi ka qenë i rrejshëm “, ka thënë Borovci. /Zëri