Rrejti se e kishin plagosur, policia konstaton se 48-vjeçari në Drenas ishte vetëplagosur

Rrejti se e kishin plagosur, policia konstaton se 48-vjeçari në Drenas ishte vetëplagosur

Kronika March 18, 2022 - 19:07

Mbrëmë rreth orës 20:30, është pranuar informata për një person të plagosur në lagjen e Xhamisë në Drenas, i cili po merrte trajtimin mjekësor në QKUK Prishtinë.

Menjëherë pas informatës, policia kishte filluar një hetim lidhur me rastin me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes.

Që në fazën e hetimit preliminar, hetuesit policorë kishin ngritur dyshimet lidhur me versionin e paraqitur, andaj kishin zgjeruar rrethin e veprimeve hetimore të cilat sot rezultuan me zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Kësisoj policia ka ngritur versionin e hetimit se A. B, mashkull, 48 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, në lokalin e tij, me armë zjarri, aksidentalisht kishte plagosur vetveten në këmbën e djathtë. Më pas po i njëjti i ndihmuar edhe nga dy persona të tjerë, ka paraqitur rrethana të rrejshme lidhur me ngjarjen. Pjesë e veprimeve për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes ka qenë edhe gjetja dhe sekuestrimi i armës që dyshohet të jetë arma e shkrepur në rast, Revole e tipit ZORAKI, kalibri 7.65mm, si dhe pesë copë fishekë”, ka njoftuar Policia.

Pas nxjerrjes në pah të rrethanave të reja të ngjarjes, në koordinim me prokurorin e shtetit është ricilësuar rasti nga “Vrasje në Tentativë” në “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”. /Zëri