Mashtruan qytetarët për punësim në Kroaci e Gjermani, paraburgim ndaj dy të dyshuarve në Prizren

Mashtruan qytetarët për punësim në Kroaci e Gjermani, paraburgim ndaj dy të dyshuarve në Prizren

Kronika January 20, 2022 - 15:27

Gjyqtari i procedurës në Departamentin e Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prizren, Fatmir Krasniqi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh ndaj dy të pandehurve, H.B. dhe Z.D., të dyshuar për veprën “Mashtrim”.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e saj, duke dhënë sqarimet e nevojshme për këtë masë.

“Nga muaji nëntor 2020 deri në muajin prill të vitit 2021, në Prizren, saktësisht në lokalin e tyre ‘Timi& Zaimi’ SHPK, me dashje dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve ose duke fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material personave tjerë, i mashtrojnë ose vazhdojnë lajthimin e personave tjerë dhe me këtë i nxisin të dëmtuarit që të njëjtët të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që të pandehurit me qëllim të përfitimit pasuror në vitin 2020 krijojnë biznesin ‘Timi& Zaimi’ SH.P.K., si agjenci punësimi, kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në Kroaci dhe Gjermani, nga të cilët kërkojnë plotësimin e dokumentacionit dhe si kundërvlerë paraprake marrin parapagime nga të dëmtuarit në shumat prej 300 (treqind) deri në 500 (pesëqind) eurove, me ç’rast secilit veç e veç i shkaktojnë dëm material, ndërsa për vete në mënyrë të kundërligjshme përfitojnë dobi pasurore”, ka thënë Gjykata në njoftim.

Megjithatë, a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet penale janë në fazën fillestare dhe me lënien e tyre në liri ekziston rreziku se të njëjtët mund të arratisen jashtë vendit, mund të fshihen ose arratisen me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penalo-juridike dhe me këtë rast të shmanget nga organet e drejtësisë, pasi i pandehuri Z.B., që nga muaji korrik i vitit 2021, është i kërkuar me urdhërarrest, nga kur ka qenë i paarritshëm për organet e drejtësisë.

“Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim në se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, për zhvillimin e rregullt dhe normal të procedurës penale, kështu duke parandaluar përsëritjen e veprës penale nga të pandehurit, por mund të kryejë edhe ndonjë vepër penale të natyrës më të rëndë me pasoja më të mëdha, andaj duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, Gjykata vendosi për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, theksoi Gjykata. Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, mirëpo ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij. /Zëri