Inskenuan grabitjen kinse u është vjedhur një zinxhir floriri, Policia në Ferizaj zbardh rastin

Inskenuan grabitjen kinse u është vjedhur një zinxhir floriri, Policia në Ferizaj zbardh rastin

Kronika August 01, 2021 - 10:15

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka arritur që të zbardhë rastin, të raportuar si ‘Grabitje’’, ku një 29-vjeçar ka raportuar në Polici me datën 31.07.2021 rreth orës 02:30, në një rrugë të Ferizajt, persona të panjohur i kishin grabitur një zinxhir floriri nga qafa gruas së tij dhe të njëjtit, sipas tij, kishin ikur në drejtim të panjohur me një automjet me targa të Shqipërisë.

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se menjëherë pas këtij informacioni janë angazhuar të gjitha njësitet në terren, në kërkim të personave dhe auomjetit të dyshuar, ndërkohë që viktima është dërguar në qendrën emergjente, pasi kishte kërkuar trajtim mjekësor.

Nga Policia kanë bërë të ditur se gjatë hetimit të këtij rasti, hetuesit policorë kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme materiale dhe deklarative, që nuk kishte ndodhur grabitja, siç edhe e kishin raportuar, por që pas intervistimit nga policia, në prani edhe të avokatit mbrojtës, të dytë kanë pranuar në tërsi se ishte një inskenim, pasi kishin një mosmarrëveshje në familje.

“Në lidhje me këtë, është inicuar rasti ‘Lajmërim i rrejshëm’. Ndërkohë, pas hetimeve në proces, ndaj të dyshuarit A.L është inicuar edhe një rast tjetër ‘Bashkëjetesë jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjeçar’, ngaqë viktima R.SH (F/K) është nën moshën 16 vjeçare dhe bashkëjetonte me të dyshuarin, e cila pastaj i kthehet familjes së saj”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë.

Sipas PK-së, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, dy rastet mbeten në procedurë të rregullt, të mëtjeme hetimore. /Zëri