Mori ryshfet 20 euro në cilësinë e personit zyrtar, dënohet me shtatë muaj burgim
Foto ilustruese

Mori ryshfet 20 euro në cilësinë e personit zyrtar, dënohet me shtatë muaj burgim

Kronika July 30, 2021 - 14:52

Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me shtatë muaj burgim të dyshuarin B.RR., pasi kishte marrë ryshfet në cilësinë e personit zyrtar.

Sipas Gjykatës, i dyshuari më datën 15 shkurt 2019, në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte marrë ryshfet 20 euro nga i dëmtuari A.S., në mënyrë që të bisedojë me gjyqtaren e çështjes dhe për ta mbyllur rastin.

“I akuzuari më datën 15.02.2019, rreth orës 17:30 minuta, në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar – ndihmësreferent i ekzekutimeve, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar dhe marrë ryshfet para në shumë prej 20 eurove nga i dëmtuari A.S., ky i fundit ka qenë i akuzuar për një lëndë penale të rrezikimit të trafikut publik (P. nr. 247/2017). I akuzuari këto të holla i ka pranuar, në mënyrë që të bisedojë me gjyqtaren e çështjes për ta mbyllur rastin. Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale ‘Marrje ryshfeti’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit B.RR. i është shqiptuar edhe gjoba në shumën prej 500 qind eurove.

“Gjithashtu është shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit në institucionet publike prej një viti. Gjykata e ka liruar nga akuza për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”’, thuhet në njoftim. /Zëri