Ngrihet aktakuzë kundër ish-ministres Dhurata Hoxha

Ngrihet aktakuzë kundër ish-ministres Dhurata Hoxha

Kronika July 07, 2021 - 14:08

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave, me inicialet Dh.H., F.M., D.Sh., K.C., N.O., për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”.

Radio Evropa e Lirë merr vesh se bëhet fjalë për ish-ministren e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha dhe katër të pandehur të tjerë: Fitim Mustafa, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani.

Hoxha, e cila vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë ministre në Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Disa nga emrat e të pandehurve përmenden në një hulumtim të rrjetit BIRN në Kosovë, ku thuhet se “në vitin 2019, Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i ka paguar 168,000 euro një kompanie lobimi me seli në Paris, që kishte promovuar idenë se ‘modifikimi i territorit’ mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë - Serbi“.

Prokuroria Speciale njofton se e pandehura Dhurata Hoxha, akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

I pandehuri tjetër, Fitim Mustafa, sipas Prokurorisë, në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërkaq, i pandehuri Demush Shasha, akuzohet se e ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së.

Gjithashtu, i pandehuri Kushtrim Cukaj, akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.

Po ashtu, i pandehuri Nuhi Osmani, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 të KPRK-së.