Pesë raste të dhunës në familje - gruaja në Prishtinë bën burrin për spital

Pesë raste të dhunës në familje - gruaja në Prishtinë bën burrin për spital

Kronika June 19, 2021 - 10:03

Policia e Kosova ka njoftuar se vetëm dje kanë ndodhur pesë raste të dhunës në familje.

Sipas Policisë, dy raste ishin nga Prishtina, një në Lipjan dhe nga një rast në Obiliq dhe Dragash.

Përmes raportit 24-orësh, PK-ja ka bërë të ditur se dje në Prishtinë pas një mosmarrëveshjeje mes vete, vëllai ka sulmuar fizikisht vëllain e tij.

“Të njëjtit pas trajtimit mjekësor janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkaq, një femër nga Lipjani ka raportuar në Polici se personi që bashkëjeton me të e ka sulmuar fizikisht.

Sipas PK-së, palët janë intervistuar në prezencë të QPS-së dhe në konsultim me prokurorin, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Po ashtu, një grua nga Obiliqi ka njoftuar se ishte keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj.

Në këtë rast viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor.

“Me vendim të prokurorit, pas intervistimit rasti shkon në procedurë të rregullt”, është bërë e ditur në raportin e Policisë.

Në Dragash është arrestuar një person pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshjeje e ka sulmuar fizikisht babanë e tij.

Sipas Policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në kryeqytet ka ndodhur edhe një rast i dhunës në familje, ku raportohet që gruaja ta ketë rrahur burrin e saj. Ky i fundit ka pranuar edhe tretman mjekësor.

“Me vendim të prokurorit e dyshuara shkon në mbajtje, ndërsa viktimës i lëshohet urdhër mbrojtje emergjent”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së. /Zëri