Supremja: Prokurori që liroi policin Haris Kelmendi që keqtrajtoi një të ri, nuk është përgjegjës për shkelje disiplinore
Foto ilustruese

Supremja: Prokurori që liroi policin Haris Kelmendi që keqtrajtoi një të ri, nuk është përgjegjës për shkelje disiplinore

Kronika May 17, 2021 - 20:20

Gjykata Supreme ka aprovuar në tërësi ankesën e avokatit Kujtim Kërveshi – të autorizuarit të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Eset Rama, i cili ishte pezulluar nga puna pasi i njëjti e kishte liruar në procedurë të rregullt policin Haris Kelmendi,  i cili kishte rrahur një person në stacionin policor.

Sipas aktgjykimit të marrë më 30 prill 2021, nga Gjykata Supreme, prokurori Rama nuk është përgjegjës për shkeljen disiplinore të përcaktuar me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se kolegji i kësaj gjykate ka bërë vlerësimin e themelësisë së ankesës dhe ligjshmërisë së vendimit të kundërshtuar dhe nga shkresat e lëndës ka rezultuar se ankesa e të autorizuarit të prokurorit Rama është e bazuar.

Përmes këtij aktgjykimi është ndryshuar vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i nxjerrë më 26 mars 2021, ku thuhet se prokurori Rama ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, në atë mënyrë që, si prokuror kujdestar kishte lëshuar afatin ligjor për të paraqitur kërkesën për masën e paraburgimit, edhe pse ishin përmbushur të gjitha kushtet ligjore për një kërkesë të tillë, ku si pasojë e këtij mosveprimi, i dyshuari ishte liruar në procedurë të rregullt.

Ndryshe, me vendimin e datës 1 shkurt 2021, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e kishte pezulluar nga detyra prokurorin Rama, me pagesë prej 50% të pagesës mujore.

Me po të njëjtin vendim, KPK kishte obliguar Panelin Hetimor që menjëherë t’i filloj hetimet disiplinore ndaj tij.

Paneli Hetimor kishte ardhë në përfundim se prokurori Rama kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale, pasi sipas vlerësimit të këtij paneli, prokurori Rama kishte manifestuar neglizhencë në menaxhimin e rastit, respektivisht, mos angazhim për të komunikuar me hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës, për të kuptuar arsyen e mos paraqitjes së kallëzimit penal në prokurori dhe për të bërë kërkesë që kallëzimin ta paraqesin brenda afatit të arsyeshëm, me qëllim të analizimit të rastit dhe për të vendosur lidhur me paraqitjen apo jo të kërkesës në gjykatë për ndonjë nga masat për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë.

“Paneli hetimor ka konstatuar se prokurori Eset Rama në momentin e pranimit të kujdestarisë, është njoftuar nga prokurori Besnik Jakupi për raportim të rastit nga IPK-ja, lidhur me dhunën e shkaktuar ndaj një qytetari nga zyrtari policor, Haris Kelmendi, e po ashtu për të njëjtën çështje është njoftuar edhe Kryeprokurori. Prokurori Esat Rama, sipas vlerësimit dhe sugjerimit të Kryeprokurorit, më 28 janar 2021, ka nxjerrë aktvendim për ndalim për 48 orë për të dyshuarin Haris Kelmendi, ndërsa pas nxjerrjes së vendimit për ndalim, i kishte njoftuar hetuesit e IPK-së se nisur nga fakti se arrestimi ishte bërë në ora 14:00, kishin afat deri në ora 14:00 të dates 29.1.2021 për ta bërë kërkesën për ndonjërën nga masat në gjykatë”, thuhet në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në këtë aktgjykim thuhet se hetuesit Fitim Zeneli dhe Hazer Malloku kishin shkuar në zyrën e prokurorit Rama për të biseduar për rastin, ku nga ta, prokurori kishte kërkuar që kallëzimin penal me të gjitha shkresat t’i dorëzojnë në prokurori më së largu deri në ora 12:00 të datës 29 janar 2021, por një gjë e tillë nuk ishte bërë.

“Me qëllim të dorëzimit të kallëzimit penal, hetuesi Nervan Curri ka arritur në objektin e prokurorisë në ora 13:38 ndërsa në ora 13:56 ka përfunduar procesin e dorëzimit të kallëzimit penal në sistem, ndërsa në zyrë të prokurorit, kallëzimi kishte arritur në orën 14:02, ku pas pranimit të së njëjtës, prokurori Rama kishte lëshuar urdhëresë për lirimit e të dyshuar, Haris Kelmendi”, thuhet tutje në këtë aktgjykim.

Gjykata Supreme ka vlerësuar se prokurori Rama nuk ka bërë shkelje disiplinore në rastin konkret, meqë paraqitësit e kallëzimit penal janë të obliguar që kallëzimin penal ta paraqesin përmes sistemit SMIL ku më pas lënda i dërgohet prokurorit të rastit, pasi që prokuroria është e obliguar që çdo parashtresë ta dorëzoj në gjykatë përmes këtij sisemi, për shkak se gjykata nuk pranon parashtresa fizikisht.

“Prokurori në fjalë ka qenë në pamundësi objektive për të paraqit kërkesë për ndonjërën nga masat për sigurimin e të pandehurit në procedurë, prandaj mos veprimi i prokurorit nuk mund të kualifikohet si shkelje”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Gjykata Supreme nuk i ka pranuar pretendimet ankimore për shkelje të dispozitave të procedurës, pasi ka vlerësuar se KPK nuk ka bërë shkelje me rastin e zhvillimit të procedurës disiplinore, pasi gjendja faktike nga ana e Panelit Hetimor ishte konstatuar drejtë, por e drejta materiale ishte zbatuar gabimisht sa i përket kualifikimit të gjendjes faktike të konstatuar në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, për shkeljen e referuar në këtë ligj dhe për saksionin disiplinor të referuar po ashtu në këtë ligj.