Goditi për vdekje dy tetëvjeçarët në Shtime, paraburgim të dyshuarit

Goditi për vdekje dy tetëvjeçarët në Shtime, paraburgim të dyshuarit

Kronika May 11, 2021 - 17:22

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

Në një njoftim për media, nga kjo Gjykatë kanë bërë të ditur se i dyshuari nga mospërshtatja e shpejtësisë kishte goditur fëmijët, të cilët ishin jashtë rrugës, ku më pas i pandehuri rrokulliset me automjet dhe bie në lumë, ndërsa të ndjerët për shkak të lëndimeve të marra kanë vdekur në QKUK.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake e Divizionit Penal, Fitore Krivanjeva-Daci, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se më 09.05.2021, në rrugën Ferizaj - Shtime, derisa ishte duke drejtuar automjetin e tipit ‘Volksëagen Golf 1.9 TDI’, nga pakujdesia, ka shkelur Ligjin mbi Trafikun Publik, ka rrezikuar jetën e njerëzve, duke vepruar në kundërshtim me dispozitën e Nenit 53.1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, nuk i është përshtatur shpejtësisë së lëvizjes së automjetit, kushteve në rrugë, ashtu që me të hyrë në kthesë në anë e majtë të drejtimit të lëvizjes frenon, automjeti bartet dhe kalon në anën e kundërt të anës së majtë të rrugës dhe i godet fëmijët, tani të ndjerët L.Rr. dhe D.B., të cilët ishin jashtë rrugës, i pandehuri rrokulliset me automjet dhe bie në lumë, të ndjerët për shkak të lëndimeve dërgohen në QKUK - Prishtinë, ku më 09.05.2021 është konstatuar vdekja e tyre”, thuhet në njoftim.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Gjykata vlerëson se janë përmbushur kushtet për caktimin e paraburgimit, të përcaktuara me KPPRK-në, duke vlerësuar peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat që dyshohet se është kryer kjo vepër penale, ku viktima janë dy fëmijë të moshës tejet të re. Po ashtu gjykata ka vlerësuar edhe rrezikshmërinë shoqërore të kësaj vepre penale, e cila është në rritje enorme, mënyrën e kryerjes, pasi dëmi i shkaktuar është me pasoja vdekjeje për jetën e dy fëmijëve tani të ndjerë, andaj ekziston rreziku real dhe potencial se po që se i njëjti të gjendet në liri, mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.