Policia interviston 10 alpinistë për rastin në Zubin Potok, thotë se nuk kanë gjetur ende prova

Policia interviston 10 alpinistë për rastin në Zubin Potok, thotë se nuk kanë gjetur ende prova

Kronika May 10, 2021 - 14:14

Të dielën një grup i alpinistëve janë sulmuar me armë në Zubin Potok, deri tani nga dy persona të panjohur.

Sipas policisë, në zonën e komunës Zubin Potok, përkatësisht të fshatit Bube, Policia e Kosovës që nga pranimi fillestar i informacionit ka ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe ato preliminare hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të incidentit të raportuar.

Policia ka njoftuar se menjëherë ka ndërmarrë veprimet në kërkim dhe identifikim të vendit të ngjarjes dhe provave të mundshme materiale.

“Në zonën malore të fshatit Bube janë dërguar njësitë patrulluese policore të mbështetura nga hetuesit policorë dhe Njësia për Reagim të Shpejtë, të cilët kanë kontrolluar zonën dhe kanë biseduar me banorë të asaj zone, me qëllim të sigurimit të informatave rreth rastit.

Gjatë ditës së djeshme, edhe përkundër kërkimeve në terren, policia nuk ka arritur të gjejë prova materiale, përkatësisht gëzhoja të armës së shkrepur. Dëshmitarët e rastit, përkatësisht ankuesit e këtij rasti, sot gjatë ditës janë intervistuar nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtët gjatë ditës së djeshme nuk kane dhënë deklarata me pretekst se deklaratat do t’i deponojnë në polici në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Bëhet e ditur se sot janë intervistuar 10 nga grupi i alpinistëve.

“Sot nga orët e paradites policia ka siguruar deklaratat e dhjetë (10) ankuesve, ndërsa hetuesit policorë së bashku me dëshmitarët dhe njësitë policore mbështetëse do të bëjnë sërish shikimin e vendit të ngjarjes, me qëllim të kërkimit të provave materiale.

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin dhe ndihmën e banorëve të zonës së Zubin Potokut për zbardhjen e rastit të raportuar. Të gjitha veprimet policore në lidhje me rastin do të koordinohen në bashkëpunim me prokurorinë themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim. /Zëri