Goditet për vdekje një këmbësor në magjistralen Prishtinë-Pejë

Goditet për vdekje një këmbësor në magjistralen Prishtinë-Pejë

Kronika May 08, 2021 - 09:35

Dje rreth orës 18:10 ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet në magjistralen Prishtinë-Pejë, më saktësisht në fshatin Balinc të Malishevës.

Si pasojë e këtij aksidenti, një këmbësor ka mbetur i vdekur.

Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj.

Ai tha se këmbësori kishte dalë në rrugë duke kaluar barrierat e metalta, përkundër rregullave të trafikut rrugor, ku edhe vetura e kishte goditur atë.

“Deri te aksidenti i ndodhur dyshohet se ka ardhur derisa automjeti kishte qenë duke qarkulluar në aksin rrugor Prishtinë-Pejë, mirëpo me të arritur në fshatin Balinc, pikërisht përballë market “Aldi”, derisa vetura në fjalë kishte qenë në lëvizje në shiritin e majtë qarkullues pasi që rruga ishte me dy shirita qarkullues në një drejtim, por për një moment papritmas i ka dalë një këmbësor në rrugë i cili kishte ardhur prej anës së majtë të rrugës, e më pas duke i kaluar barrierat e metalta, përkundër rregullave të trafikut, ku vozitësi duke mos e vërejtur nuk ka mundur që t'i evitohet goditjes dhe me pjesën e parme ballore ana e majtë e veturës e ka goditur këmbësorin i cili sapo kishte filluar që të dalë në rrugë prej anës së majtë, dhe pas goditjes vetura e kishte bartur këmbësorin disa metra përpara, ku më pas e kishte përplasur në rrugë në shiritin e majtë qarkullues”, ka thënë ai.

Gjurkaj tha për “Zërin” se si pasojë e goditjes këmbësori kishte pësuar lëndime serioze për jetë dhe disa kalimtarë të rastit e kishin dërguar në QKMF në Kijevë pa shenja jete.

“Si pasoje e goditjes këmbësori kishte pësuar lëndime serioze për jetë. Nga disa kalimtarë të rastit, sipas tyre, kishte pasur shenja jete, dhe e kishin dërguar në QKMF në Kijevë, por viktima ishte sjellë pa shenja jete, ku edhe e kanë konfirmuar vdekjen e tij. Vozitësi po ashtu kishte pësuar lëndime trupore, fillimisht ishte dërguar në QKMF në Klinë, e pasi që kishte pësuar frakturë ne dorën e majte, me urdhër të prokurorit kujdestar vozitësi është sjellë në spitalin rajonal nt Gjakovë për tretman më të gjerë mjekësor, mirëpo është i ndaluar me vendim të prokurorit kujdestar dhe është në mbikëqyrje të organeve policore në repartin ortopedik", ka theksuar zëdhënësi Gjurkaj.

Lidhur me rastin, ai tha se është njoftuar Prokurori kujdestar i Shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të tij me pëlqimin e familjarëve viktima ju është liruar familjarëve për ceremoni mortore./Zëri