Një muaj paraburgim ndaj të miturit shtetas i Maqedonisë që bleu cigare e “red bulla” me 500 euro false

Një muaj paraburgim ndaj të miturit shtetas i Maqedonisë që bleu cigare e “red bulla” me 500 euro false

Kronika April 17, 2021 - 14:16

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kundër të miturit B.L., shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale falsifikim i parasë.

Sipas Gjykatës, thuhet se ai me vetëdije e ka kryer veprën, pasi e ka ditur se paratë janë false, dhe në një qendër tregtare në Han të Elezit ka blerë cigare dhe pije energjike në vlerë me prej 28 euro bankënoten 500 euro.

Ai është kapur në kufi teksa ka dashur të largohet nga Kosova.

"Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për të Mitur – Ilir Bytyqi, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar faktin se i mituri, tani madhor, më 15 shkurt të vitit 2021, në Han të Elezit në një Qendër Tregtare, duke e ditur se paraja është e falsifikuar, ka blerë me bankënotën prej pesëqind euro, cigare dhe "red bulla", në vlerë prej 28 euro dhe pasi ka pranuar kusurin është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa më 16 prill 2021 në vendkalimin kufitar në Han të Elezit është ndaluar nga ana e policisë", thuhet në njoftim.

Gjykata kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, kundër të miturit tani madhor, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Gjyqtari i procedurës paraprake shqyrtoi propozimin e mbrojtësit të të miturit që të mbrohet në liri apo caktohet ndonjë masë tjetër, por konstatoi se masat tjera janë të pa mjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, andaj po të gjendej në liri, do të ekzistonte rreziku real dhe potencial që do të shpinte deri te rrethanat me të cilat do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet më tej në njoftimin e Gjykatës./Zëri