Aksioni policor i nisur më 2020 vazhdoi edhe sot – shkon në 25 numri i të arrestuarve për kontrabandim me armë

Aksioni policor i nisur më 2020 vazhdoi edhe sot – shkon në 25 numri i të arrestuarve për kontrabandim me armë

Kronika April 14, 2021 - 16:34

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, e asistuar edhe nga njësitë e tjera policore, pas hetimeve disa mujore të realizuara fillimisht në vitin 2020, të cilat kanë vazhduar deri më sot, ka arrestuar 25 persona të dyshuar.

Policia e Kosovës ka theksuar se personat e dyshuar janë arrestuar mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprimtari kriminale të krimit të organizuar, përfshirë në vepra penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

Po ashtu, PK-ja thotë se operacionet policore janë realizuar me urdhëresë të organeve të drejtësisë ku kanë përfshirë disa lokacione si Prishtina, Gjilani, Ferizaj dhe Mitrovica e Jugut.

“Gjatë kontrollit të këtij operacioni të disa shtëpive dhe objekteve përcjellëse janë gjetur tetë (8) armë të gjata të llojeve të ndryshme, trembëdhjetë (13) armë të vogla revole, dy (2) karikatorë, 1.493 municion të kalibrave të ndryshëm, pjesë të ndryshme të armëve,

pajisje për pastrimin e armëve, dy (2) leje për armë, dy (2) vetura, një (1) palë dylbi, njëzet e një (21) telefona celularë, dy mijë (2000) euro dhe një (1) fletore me shënime”, thekson Policia.

Ndërkaq, nga 25 personat e arrestuar në të dy operacionet policore, vlen të potencohet se 12 prej tyre janë arrestuar në vitin 2020, të cilët me vendim të prokurorëve kompetentë janë dërguar në mbajtje, përderisa në operacionin policor të realizuar sot në orët e hershme të mëngjesit, janë arrestuar 13 persona, prej tyre 7 persona me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, përderisa gjashtë të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt. /Zëri