Keqpërdori paratë për një fëmijë të sëmurë, punonjësi i OJQ-së dënohet me 6 muaj burgim me kusht

Keqpërdori paratë për një fëmijë të sëmurë, punonjësi i OJQ-së dënohet me 6 muaj burgim me kusht

Kronika April 14, 2021 - 12:07

Të mërkurën, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj punonjësit të Organizatës Jo-Qeveritare “Shpëto jetë”, Xhavit Gashi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ai është dënuar me 6 muaj burgim me kusht, në afat verifikimi prej një viti.

Deri te ky aktgjykim dënues ka ardhur pasi i njëjti, dy ditë më parë, ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Kryetarja e trupit gjykues, Alltene Murseli, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka bërë të ditur se Gashi gjithashtu obligohet të paguajë shpenzimet procedurale në vlerë prej 50 euro, brenda 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Ndërkaq, e njëjta palën e dëmtuar e ka udhëzuar në kontest juridiko-civil.

Bashkë me Gashin, si persona zyrtarë në këtë organizatë, janë akuzuar edhe Abedin Hysa dhe Bekim Hamiti, por pasi për ta kishte përfunduar gjykimi në vitin 2016, ishte veçuar procedura ndaj të akuzuarit Gashi dhe lënda e tij është gjykuar nga gjykatësja Alltene Murseli.

Paraprakisht, para gjyqtares Murseli, kjo lëndë i ishte ndarë gjyqtares Violeta Namani, por e njëjta është avancuar në Departamentin Special.

Ndryshe, më 23 dhjetor 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur fajtor të bashkakuzuarin e Gashit, Abedin Hysën, duke e dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale në periudhë prej një viti.

Kurse, ndaj Bekim Hamitit ishte refuzuar akuza për shkak të parashkrimit të veprës penale.

Kjo gjykatë për Hysën e Hamitin gjatë këshillimit dhe votimit kishte bërë rikualifikimin e veprës penale prej “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” në veprën penale “keqpërdorim i besimit”.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 mars 2014, të akuzuarit si persona zyrtarë të OJQ-së “Shpëto jetë”, duke shfrytëzuar detyrën kanë tejkaluar kompetencat me qëllim që të përfitojnë dobi materiale për vete.

Sipas akuzës që nga viti 2010-2011, i pandehuri Abedin Hysa, në cilësi të përfaqësuesit të kësaj organizate, Bekim Hamiti në cilësi të drejtorit dhe Xhavit Gashi, si i punësuar, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur dokumentacionin mjekësor dhe autorizimin e të dëmtuarit H.N dhe në emër të fëmijës së tij që vuante nga një sëmundje e rëndë, G.N, kanë kërkuar të holla nga qytetarë në vende të ndryshme të Kosovës si në Viti, Gjilan, Shtime, Ferizaj dhe Lipjan.

Akti akuzues thotë se prej 31 janar 2010, deri më 28 shkurt 2010, kjo shoqatë në emër të G.N ka realizuar mjete në shumë prej 8.030.46, ndërsa prej 1 mars 2010, deri më 31 mars 2010, në emër të dëmtuarit kanë grumbulluar 7.155.30 euro, ku shuma e përgjithshme për këtë periudhë është 15.185.76 euro dhe prej këtyre vetëm 4200 euro i janë dorëzuar të dëmtuarit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 15 mars 2010, në fshatin Gumnasellë, Komuna e Lipjanit, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit, të pandehurit Hysa dhe Hamiti, ia kanë ofruar faturën fiktive prej 3000 eurosh për ta nënshkruar, kinse se ka pranuar këtë shumë të të hollave.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Abedin Hysa e Bekim Hamiti janë arsyetuar te i dëmtuari se në automjetin e kësaj shoqate, në një autolarje në Lipjan ia kanë vjedhur faturat e shpenzimeve të shoqatës, ndërsa më 28 dhjetor 2011, Abedin Hysa dhe Xhavit Gashi me qëllim të përvetësimit material për vete kanë vazhduar në Suharekë që të mbledhin të holla në emër të G.N edhe pa autorizim të dëmtuarit. /BetimipërDrejtësi