Infektuar: 70185
Shëruar: 313132
Vdekur: 1616
Shukri Buja dënohet me një vit burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Shukri Buja dënohet me një vit burgim për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Kronika January 20, 2021 - 10:55

Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, është dënuar me një vit burgim dhe me ndalim të ushtrimit të funksionit në administratën publike ose shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vjetësh.

Kjo u bë e ditur nga Gjykata e Apelit, e cila ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 18.09.2020 ndaj ish-kryetarit të Lipjanit Shukri Bujës, i cili ishte dënuar me dy vjet burgim nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktgjykimit të ri, Buja është gjetur fajtor vetëm për një vepër penale dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej një viti.

“I akuzuari Sh.B. është gjetur fajtor vetëm për një vepër penale, atë të ‘Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’, nga Neni 422, par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), pika. 1.4 e aktgjykimit, për çka Gjykata e Apelit e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti dhe dënim plotësues ndalim të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 (dy) vjetëve. Dënimi plotësues do të fillojë të ekzekutohet pas përfundimit të mbajtjes së dënimit me burgim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

“Për veprat penale nga pikat I, I.1, I.2, I.3, I.4 dhe III të pjesës dënuese ndaj të akuzuarve Sh.B., H.G. dhe B.R. lidhur me veprën penale nga pika I e pjesës liruese ndaj të akuzuarës M.S., aktakuza është refuzuar, për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit të ndjekjes penale. Ndërsa pjesa që ka të bëjë më pikën II të pjesës dënuese (Pika II.4 e aktakuzës), ndaj të akuzuarve H.V. dhe E.R., aktgjykimi është prishur dhe lënda i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje. Në çështjet tjera aktgjykimi ka ngelur i pandryshuar”, ka bërë të ditur Gjykata.

Më 18 shtator 2020 Buja ishte dënuar me dy vjet burgim. Ai akuzohej për rastin e njohur si “Feronikeli”, bashkë me tetë persona të tjerë, për “Marrje ryshfeti” dhe “Ushtrim ndikimi”. /Zëri