Numan Baliqit i ngrihet aktakuzë për “sulm seksual”

Numan Baliqit i ngrihet aktakuzë për “sulm seksual”

Kronika September 29, 2020 - 16:30

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Numan Baliq për “sulm seksual”.

Në komunikatën e Prokurorisë Themelore të Pejës thuhet se është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet N.B, për shkak të veprës penale “Sulm seksual”.

Në një njoftim për media nga kjo prokurori është bërë e ditur se sipas aktakuzës i pandehuri N.B., më 12 gusht të këtij viti në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës i cili ishte në cilësinë e profesionistit shëndetësor ka keqpërdorur gjendjen shëndetësore ndaj viktimës femër.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri N.B., me datë 12 gusht të këtij viti , në ora 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, në cilësinë e profesionistit shëndetësor, duke keqpërdorur gjendjen shëndetësore të viktimës, i pandehuri cyt të dëmtuarën që ta prek për qëllime seksuale, pa pëlqimin e saj, derisa viktima arrin të largohet nga i pandehuri dhe kërkon ndihmë fillimisht nga rojet e sigurisë, e me pas e raporton rastin në Policinë e Kosovës. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se, i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin t’a shpallë fajtor dhe t’a dënojë sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë. /Zëri