1.317 persona kanë humbur jetën gjatë aksidenteve në trafik

1.317 persona kanë humbur jetën gjatë aksidenteve në trafik

Kronika July 14, 2020 - 11:22

Që nga viti 2010 deri në vitin 2019 në rrugët e Kosovës kanë humbur jetën 1.317 persona, si dhe janë lënduar mbi 536 mijë persona të tjerë.

Qeveria e Kosovës ka publikuar sot raportin “Dekada e sigurisë 2010-2019” si udhëzim në parandalimin e aksidenteve.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, në konferencën për media, ku u prezantua ky raport, tha se brenda nëntë vjetësh në rrugët e Kosovës kanë humbur jetën 1 317 persona, si dhe janë lënduar mbi 536 mijë persona.

“Ky raport ka material të rëndësishëm që të na udhëzojë në parandalimin e aksidenteve. Aksidentet rrugore janë bërë shkak kryesor i vdekjes. Çdo vit me shumë se 1.3 milion njerëz vdesin në gjithë botën dhe më shumë se 10 milionë të lënduar”, ka thënë Abrashi.

Për të rritur nivelin e kujdesit ai tha se është e nevojshme të hartohet një plan në zbatimin e masave të zbatuara. “Në vendin tonë ka rritje të automjeteve dhe siguria rrugore është bërë problem në shoqërinë tonë. Nga viti 2010 deri në 2019 në rrugët e Kosovës kanë humbur jetën 1 317 persona dhe janë lënduar mbi 536 mijë persona”, tha Abrashi.

Ndërsa ministri i MPB-së, Agim Veliu, ka thënë se për periudhën dhjetor-janar 2018-2019 numri i aksidenteve ka pasur rritje prej 2,9%.

“Për periudhën dhjetor-janar 2018/19 vërehet se numri i aksidenteve ka pësuar ngritje prej 2,9 për qind dhe me dëme materiale për 5,6 për qind, ndërsa numri i aksidenteve me lëndime ka shënuar rënie prej 1,2 për qind. Numri i kundërvajtjeve të shqiptuara ka shënuar rritje 11,4 për qind”.

Sipas Policisë së Kosovës, numri i kundërvajtjeve të shqiptuara nga viti 2018 deri në vitin 2019 është 32 mijë e 962 dhe kanë ndëshkuar 4 103 kundërshtime të qytetarëve.

“Numri i kundërvajtjeve të shqiptuara që janë paraparë për vitin 2018/19 është 32 mijë e 962 dhe kemi ndëshkuar 4 103 kundërshtime të qytetarëve, si dhe ndalime motorike 13 mijë e 104”, ka thënë drejtori i Policisë, Rashit Qalaj. Ai ka thënë se nëse krahasohen aksidentet fatale me numrin e vrasjeve, atëherë i bie që raporti është 5 me 1. /Zëri