Aktakuzë ndaj dy grave për pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS
Foto: Laura Hasani

Aktakuzë ndaj dy grave për pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS

Kronika May 22, 2020 - 15:22

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ndaj dy të pandehurave, me inicialet L.I. dhe A.A., pasi secila veç e veç kanë kryer veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, transmeton “Zeri.info”.

Po ashtu Prokuroria njofton se të pandehurat me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste dhe kanë shkuar në Siri duke iu bashkangjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS, duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtaritë e saj.

Prokuroria në njoftim ka thënë se e dyshuara me inicialet A.A. ka shkuar në Siri dhe në këmbim të një shume të rregullt mujore parash nga “Shteti Islamik” ka ofruar shërbime logjistike për anëtarët meshkuj të familjes, të cilët ishin ushtarë.

Ndërkaq, e pandehura L.I., pas vrasjes së bashkëshortit të parë A.U., është martuar me K.K. nga Shkupi, e pas vrasjes së tij është martuar me N.H. nga Pogradeci, të cilët po ashtu aktivisht kanë luftuar, e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të “Shtetit Islamik”, “derisa ISIS-i e ka pësuar disfatën e plotë kur kanë qenë të detyruar që të dorëzohen te forcat kurde, të cilët pastaj me ndihmën e ushtrisë amerikane i kanë dëbuar për në Kosovë më 24 prill 2019”.

Me këto veprime secila veç e veç e ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.