Ekspertët e sigurisë: Policëve me probleme psikike t’u merren armët

Ekspertët e sigurisë: Policëve me probleme psikike t’u merren armët

Kronika February 22, 2020 - 08:30

Ditë më parë, Valdete Bllaca, ish-zyrtare policore ka vrarë 4 familjarët e saj pastaj edhe vetën. Policia e Kosovës kishte konfirmuar se Bllaca ka pasur probleme mendore.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi thotë për Ekonomia Online se ndonëse zyrtarët policorë i ekspozohen rrezikut për jetë në shërbim të popullit, ata njëkohësisht edhe mund të paraqesin rrezik nëse kanë probleme psikike.

“Pra nuk është vetëm ajo që zyrtarët policor i ekspozohen rrezikut përhershëm për shkak tonë për jetë, trup edhe shëndet. Por, njëkohësisht ata mund të paraqesin rrezik edhe nëse nuk e kanë gjendjen e mirë psikike, qoftë nëse janë në stres, nën shok, ankth apo një situatë tjetër psikike”, u shpreh ai.

Sipas Ibishit, zyrtarët policorë vazhdimisht duhet bëjnë kontrolle dhe jo vetëm kur bëhet pranimi i tyre.

“Nuk mjafton ajo vetëm kur bëhet pranimi për zyrtarët policorë që kalon te psikologu dhe trajtimet tjera edhe testi psikologjik, mirëpo edhe gjatë shërbimit ata duhet përherë të jenë në një kontroll”, theksoi ai.

Ibishi thotë se zyrtarët policorë për të cilët ka fakte që kanë probleme të llojit psikik duhet menjëherë të suspendohen dhe t’u merren armët.

“Nuk ka kurrfarë justifikimi, ai automatikisht duhet të suspendohet ose të punësohet në stafin civil, apo diçka tjetër edhe ai assesi nuk duhet të ketë në dispozicion armën”, thotë Ibishi.

E për shkak të problemeve psikike, një zyrtar i Policisë së Kosovës, para disa viteve nuk ishte kthyer më nga pushimi në punë.

Nënkryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Bajram Tasholli thotë për Ekonomia Online se mjekët kishin konstatuar se i njëjti më nuk mund të kthehet në punë.

Ndonëse shefi i  Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ditë më parë ka bërë të ditur se rreth 100 policë të Kosovës kanë probleme shëndetësore, përfshirë edhe ata me probleme psikike, Tasholli thotë se ka disa policë që kanë probleme psikike, mirëpo nuk ka dhënë ndonjë numër të saktë.

Megjithatë, Tasholli thotë se ata persona nuk përbëjnë shkallë të rrezikshmërisë për shoqërinë, përderisa një gjë e tillë nuk vërtetohet nga mjeku.

“Saktë numër nuk ka, por kemi. Dmth mos të themi 10, 20 por ka një numër. Dy për opinionin janë shumë, mirëpo nuk është ajo shkalla e rrezikshmërisë e të cilët mund ta shfaqin rrezikun ata sepse ata janë pjesë e shoqërisë sonë, ata diku duhet të funksionojnë të jetojnë. Është me rëndësi që kur ta supozon mjeku se nuk guxon armën ta bartë, ai nuk do ta bart armën edhe krejt është procedurë e mjekut si të funksionon ai person”.

“Me pushime kemi, kemi rast që është larguar, është konstatuar se ai nuk mund të kthehet në detyrë edhe nuk është kthyer. Numri i paktë është. Ka ndodhur para 7 viteve e di një rast i cili nuk është kthyer më në punë, është konstatuar nga mjekët se nuk kthehet më në punë edhe nuk kthyer më në punë”, thotë Tasholli.

Sipas Tashollit, policët të cilët kanë probleme psikike, janë trajtuar nga ekipi mjekësor, të cilët më pas kanë konstatuar se duhet t’iu ndryshohet vendi i punës dhe mos ta bartin armën.

“Sa i përket policëve të cilët janë të sëmurë nga ana psikike që kemi , ata janë trajtuar nga ekipi shëndetësor i yni edhe të tjerëve, edhe kanë konstatuar se ata duhet t;iu ndryshohet vendi i punës dmth mos të bartin uniformën, mos ta bart armën dhe të ketë ndonjë punë të lehtë edhe jo kontakt me uniformen apo armën të cilët fjalën e fundit për këtë gjithherë e jep mjeku, cila është shkalla e tij se mund të shërohet”, u shpreh ai.                                                                                                                                                                                                                                              

Tasholli thekson se si sindikatë kanë kërkuar të kenë pension invalidor për zyrtarët policor që kanë probleme të ndryshme shëndetësore.

“Si sindikatë them të drejtën kemi kërkuar gjithherë që te kemi pension invalidor sepse fatkeqësisht në polici kemi policë që i ka 50 vjet dhe ka lëndime trupore i dhemb këmba, krahu, reuma, unazat edhe ai me plotë dëshire do të kishte një pension invalidor”, tregoi ai.

Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, bën të ditur se numri i zyrtarëve me probleme të rënda shëndetësore është rreth 120 zyrtarë policor, përfshirë personelin e uniformuar dhe atë civil.

Sipas PK-së, janë rreth 20 zyrtarë që për shkak të problemeve psikologjike nuk ju lehohet të mbajnë armë zyrtare.

“Numri i zyrtarëve policorë të liruar nga arma zyrtare për arsye të problemeve shëndetësore të natyrës psikologjike, janë gjithsej 20 zyrtarë, nga ky numër (4) zyrtarë gjenden në pushim mjekësor të kategorizuar si rast i veçantë shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e PK-së.