Prokuroria hedh poshtë një version të ri që po qarkullon rreth vrasjeve të sotme në Gjilan

Prokuroria hedh poshtë një version të ri që po qarkullon rreth vrasjeve të sotme në Gjilan

Kronika February 18, 2020 - 15:38

Pasditen e sotëm ka ndodhur një vrasje e katërfishtë dhe një vetëvrasje në Gjilan. Prokuroria ka deklaruar se zyrtarja policore Valdete Bllaca ka vrarë prindërit dhe dy vëllezërit e saj. Fqinjë të familjes kanë dhënë një version tjetër, të cilin momentalisht Prokuroria po e hedh poshtë, raporton Gazeta Express

Pesë trupa të pajetë u gjetën pasditen e sotme në shtëpinë e familjes Bllaca nga Gjilani.

Një armë zjarri u gjet në dorën e Valdete Bllacës, e cila sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka vrarë nënën Hanifen, babain Zeqirin, dy vëllezërit Blerimin e Fisnikun, e më pas edhe veten.

Fqinjë të familjes Bllaca kanë thënë se ishte djali i madh Blerimi ai që kishte shtënë drejt prindërve dhe vëllait Fisnikut.

Dëshmitarët kanë deklaruar se para orës 13:00 e kanë parë Valdeten duke shkuar në shtëpinë e familjes së saj. Sipas tyre, ajo e kishte vrarë më pas vëllain Blerimin dhe në fund kishte bërë vetëvrasje.

Por, këtë version të fqinjëve të familjes Bllaca po e hedh poshtë Prokuroria.

“Për momentin nuk ka asnjë provë që është përdorur revole tjetër. Arma i është gjetur polices”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini.

Ndërkaq, në vendin e ngjarjes përvec policisë, prokurorit kujdestar dhe mjekëve, kanë arritur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, drejtori i Departamentit për Operacione, Afrim Ahmeti, dhe drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova.

Express raportoi më herët se për pak minuta pritet të bëhet edhe tërheqja e pesë trupave.

Rastin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Gjilanit përmes një komunikate drejtuar medieve.

Sipas Prokurorisë, policja dyshohet se fillimisht i ka vrarë prindërit, dy vëllezërit dhe pastaj ka kryer vetëvrasje.

“Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’ në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.