Spitali i Prizrenit jep detaje për dy vdekjet enigmatike që ndodhën brenda 24 orëve

Spitali i Prizrenit jep detaje për dy vdekjet enigmatike që ndodhën brenda 24 orëve

Kronika February 14, 2020 - 17:19

Një 33-vjeçar me inicialet M.S dhe një 45-vjeçare me inicialet Q.SH, mbrëmë kanë ndërruar jetë në Spitalin e Prizrenit, nën rrethana të dyshimta. Sipas zyrtarëve të Spitalit, të dy ishin dërguar në spital pavetëdije. Deklarojnë se pavarësisht se u janë ofruar të gjitha tretmanet mjekësore, nuk kanë arritur t’i shpëtojnë. Të dy rastet janë raportuar në Policinë e Kosovës, dhe po hetohen si “vdekje të dyshimta”.

Dy vdekje të dyshimta janë raportuar të kenë ndodhur mbrëmë në Spitalin e Përgjithshëm “Prim Dr Daut Mustafa”, në Prizren. Arsyet e vdekjes, janë ende duke u hulumtuar.

Detaje rreth këtyre rasteve ka dhënë për Express, Shefi i Njësisë së Mjekimit Intenziv Qendror, Mentor Rexhbecaj.

Sipas Rexhbecajt, të dy pacientët kishin arritur në spital pavetëdije.

33-vjeçari ishte pranuar në Mjekimin Intenziv Qendror rreth orës 07:00 të mëngjesit, e i cili kishte ndërruar jetë rreth orës 10:00, po atë ditë.

“Pacientit i janë ofruar të gjitha tretmanet e duhura diagnostike, terapeutike, medikamentoze dhe intervente (frymemarrja artificial – ventilimi mekanik), janë bërë analiza laboratorike, si dhe konsultimet e duhura të mjekëve të profileve të ndryshem, që janë ndërlidhur me gjendjen shendetesore të pacientit. Por, edhe përkundër të gjitha këtyre masave, pacienti ka përfundu me vdekje, në ora 9:50 të së njëjtës ditë”, ka deklaruar Rexhbecaj.

Në gjendje të rënduar shëndetësore thotë të jetë sjellë edhe 45 vjeçarja, e cila ka ndërruar jetë rreth orës 12:00, të së njëjtës ditë.

“Rasti i dytë, pacientja Q. Sh, e datëlindjes  1975, pranohet në MIQ në ora 09:00 në gjendje të rëndë shendetësore e pavetëdijshme. Janë marrë të gjitha masat diagnostike dhe terapeutike, intervente (frymemarrja artificial – ventilimi mekanik), konsultimet, si dhe analizat laboratorike. Por, edhe përkundër të gjitha këtyre masave, pacientja përfundon me vdekje në ora 12:12 të së njëjtës ditë”, thuhet në përgjigjet e tij drejtuar Gazetës Express.

Por, se cila ishte arsyeja që shkaktoi vdekjen e këtyre dy pacientëve ende nuk po dihet.

Në Spitalin e Prizrenit thonë se po e presin raportin e obduksionit për të ditur arsyet.

“Arsyet e vdekjes së pacientave të lartecekur janë ende duke u hulumtuar dhe deri në raportin e obdukcionit nuk mund të japim ndonjë arsye përfundimtare. Pasi që kanë ndodh te pacientët që janë moshe e re dhe keqësimi i gjendjes së tyre shëndetësore ka ndodhur në rrethana të pasqaruara mirë”, kanë deklaruar nga ky institucion shëndetësor për gazetën.