E akuzuara e pranon fajin, thotë në Siri shkoi me insistimin e burrit të saj

E akuzuara e pranon fajin, thotë në Siri shkoi me insistimin e burrit të saj

Kronika February 12, 2020 - 14:46
Valbona Berisha, e ka pranuar fajësinë për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Haki Gecaj, e akuzuara Berisha tha se me vetëdije të plotë e pranon fajësinë për këtë vepër.

“E pranoj fajësinë, jam e vetëdijshme për pranimin që po e bëj”, tha e akuzuara.

Ky deklarim i të akuzuarës nuk u kundërshtua nga prokurori Gecaj, e as nga mbrojtësja e të akuzuarës, avokatja Sahara Duriqi, dhe si i tillë u aprovua nga gjykatësja Shadije Gërguri, me arsyetimin se ishte bërë sipas dispozitave ligjore.

Më pas, prokurori Gecaj, i ka propozuar gjykatës që të akuzuarën Berisha ta shpall fajtore, por që me rastin e caktimit të dënimit të merrej parasysh pranimi i fajit dhe pendimi i të akuzuarës për veprimet e saj.

“Prokuroria mendon që gjykata të akuzuarën ta shpall fajtore, por me rastin e matjes së dënimit të ketë parasysh si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë nga ana e saj, se e akuzuara edhe në seancë në prokurori ka deklaruar se është penduar për  veprimet e saj, dhe se ajo ka qenë e ndikuar nga bashkëshorti i saj kur kanë vendosur të udhëtojnë për në Siri”, tha prokurori Gecaj.

Ngjashëm, edhe avokatja Duriqi, ka përmendur rrethanat që sipas saj duhet të merren parasysh me rastin e vendosjes mbi dënimin, duke propozuar shqiptimin e një dënimi sa më të butë për klienten e saj.

“I propozoj gjykatës që të ketë parasysh pranimin e fajit, pendimin e saj të sinqertë, ndikimin që e ka pas bashkëshorti i saj që ajo ti bashkëngjitet udhëtimit të tij, për çka ajo ndihet shumë keq ngase gjatë këtij udhëtimi ajo kishte me vete edhe dy fëmijët ë saj, faktin se e mbrojtura ime është nënë vetushqyese e këtyre dy fëmijëve, gjendja e saj ekonomike është shumë e rëndë, është hera e parë që ajo ballafaqohet me ligjin, duke marrë parasysh të gjitha këto propozojmë që gjykata të shqiptoj një masë sa më të butë që të njëjtës ti jepet rasti të risocializohet”, tha avokatja Duriqi.

E akuzuara Berisha, në deklarimin e saj para gjykatës, u shpreh e penduar për shkuarjen në Siri dhe shtoi se tani ndihej e lumtur për rikthimin e saj në Kosovë, së bashku me dy fëmijët e saj.

“Ideja për me shku në Siri ka qenë e bashkëshortit. Jam pendu për shkuarjen, unë kam tentu edhe shumë herë me u kthy, por s’u kon kollaj me u kthy në Kosovë, se ma së pari kanë lyp shumë pare për me më ndihmu mu kthy këtu, jam kthy ni vit e gjysmë pa përfundu krejt ISIS-i. Rrugëtimi im deri në Kosovë ka qenë i vështirë. Jam e lumtur që jam kthy, sidomos për fëmijët e mi”, tha e akuzuara.

Ajo i ka premtuar gjykatës se nuk do bie ndesh me ligjin në të ardhmen, duke kërkuar një dënim sa më të butë për të.

“I premtoj gjykatës që do të kujdesem për fëmijët e mi, është hera e parë që kam ra ndesh me ligjin. E lus gjykatën që ndaj meje ta merr ni dënim sa më të lehtë”, shtoi e akuzuara.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më 13 shkurt, nga ora 09:30.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 20 janar 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Valbona Berisha, për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 par.2 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, ajo akuzohet se me qëllim për t’iu bashkëngjitur grupeve terroriste ISIS dhe Al-Nusra në Siri dhe Irak, më 26 shtator 2014, në ora 07:17, duke vepruar me dashje dhe dijeni për veprimet e veta, është larguar nga Kosova, duke kaluar përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit, së bashku me dy fëmijët e saj dhe bashkëshortin, ashtu që nga aeroporti i Shkupit kanë udhëtuar drejt Stambollit dhe më tutje Sirisë, ku pas bashkimit në grup terrorist, burri i saj, Ekrem Hasani, është vrarë më 30 prill 2015, kurse e akuzuara Berisha ka qëndruar atje deri në kohën kur është deportuar në Kosovë më 20 prill 2019.