Gjykimi ndaj aktivistëve për molotov, PSD: Protesta nuk përbën lëndë terrorizmi
Partia Socialdemokrate përmes një komunikate për media ka thënë se proceset e tilla kanë shumë nevojë për transparence pasi evitohen arbitrariteti e shkeljet.
“Në fakt, rasti daton nga koha e protestave kundër “Zajednicës” dhe Demarkacionit. Ne jemi të bindur se protestat kundër “Zajednicës” dhe Demarkacionit ishin të drejta. Kualifikimi i veprës është në shpërputhje të plotë me mënyrën se si e ka trajtuar rastin Gjykata Themelore në Prishtinë. Ata po akuzohen për përgatitje të veprës terroriste, ndërkaq ka tri vjet ç’prej se është hapur ky rast dhe gjykata nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Rrezikshmëria e tre “terroristëve” nuk e ka prishur rehatinë e gjyqtarëve për ta trajtuar këtë rast me prioritet”, thuhet në reagim.
“VV në pushtet ka vendosur të mos flasë më për këto raste. Siç duket nga perspektiva e pushtetit shohin diçka tjetër. Sjellja karshi përpjekjeve është indikacion për mënyrën se si do t’i trajtosh kauzat e djeshme sot. Duke e parë një proces të dobët dhe me shkelje të njëpasnjëshme, jemi të bindur se protesta do të fitojë, kurse aktivistët do të lirohen nga damka e rëndë etiketuese e kualifikimit të veprës”, përfundon reagimi i PSD-së.
Ndryshe, sot ka nisur seanca për shqyrtimin fillestare për dy aktivistëve të PSD-së, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça, dhe aktivistit të Vetëvendosjes, Çlirim Gërbeshi që akuzohen për veprën “Përgatitje të veprës terroriste”.
Kryetarja e Trupit Gjykues, Albina Rama tha se seanca për këtë rast do të mbahen të mbyllura pasi që i akuzuar në këtë rast është i mituri Çlirim Gërbeshi.
Madje ajo përmes aktvendimit ndaloi edhe zbulimin dhe të gjitha të dhënat për të miturin që akuzohet për përgatitje të veprës terroriste.
Gëzon Kastrati dhe Korab Korça të cilët tani janë pjesë e PSD dhe C.G. pjesë e Vetëvendosjes akuzohen për koktej molotovi që i ishte gjetur në zyrat e Vetëvendosjes në shtator 2016.