Keqpërdori detyrën zyrtare, dënohet me tetë muaj burg drejtori për Buxhet dhe Financa
Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar me tetë muaj burgim drejtorin për Buxhet dhe Financa të Komunës së Kllokotit.
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit N. N., duke e i shqiptuar dënim prej tetë muaj burgim, i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
“I akuzuari N. N., në gusht të vitit 2015 deri në prill 2017, në cilësinë e drejtorit për Buxhet dhe Financa të Komunës së Kllokotit, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar, në atë mënyrë pa qenë i autorizuar ka bërë pranimin e të hollave prej 14.013,50 euro nga zyrtari B.B., arkëtari B. T., dhe Zh. V., të cilat të holla kanë qenë rrjedhojë e inkasimit të taksave për shërbime komunale, ashtu që shumën prej 3.623,00 euro ka transferuar në llogarinë bankare të komunës, ndërsa nuk e ka dorëzuar shumën prej 10.390.50 euro, duke përfituar për vete dhe duke i shkaktuar dëm komunës për shumën e lartcekur”, thuhet në njoftimin e gjykatës, shkruan lajmi.net.
Me këto veprime sipas gjykatës, i akuzuari ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Trupi gjykues pas shqyrtimit të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka nxjerrë aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit, duke i shqiptuar dënim prej tetë muaj burgim.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.