Infektuar: 18148
Shëruar: 15150
Vdekur: 666
Hajnat ua mësyjnë bankomateve, dy tentim – grabitjeje brenda natës

Hajnat ua mësyjnë bankomateve, dy tentim – grabitjeje brenda natës

Kronika January 21, 2020 - 13:07

Një person ka raportuar në polici se persona të panjohur dhe të maskuar kanë tentuar të grabisin bankomatin e një banke në Malishevë

Rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në fshatin Kijevë të Malishevës, bën të ditur policia në raportin 24 orësh.

Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka raportuar se dy persona të panjohur dhe të maskuar kanë tentuar që të kryejnë vjedhje në një bankomat të një banke, por pasi janë vërejtur nga ankuesi janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhet në raport.

Bëhet e ditur se në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse policore.

Një tjetër tentim grabitje ka ndodhur në të njëjtën natë në Prishtinë ku katër persona kanë tentuar të grabisin bankomatin e një banke.

Rasti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, bën të ditur policia në raportin 24 orësh.

“Raportohet se katër të dyshuar të panjohur kanë tentuar që me forcë të grabisin bankomatin e një banke”, thekson raporti.

Po ashtu, bëhet e ditur se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë me targa vendore.