Familja Vuçiq dhe një plantacion me mariuanë

Familja Vuçiq dhe një plantacion me mariuanë

Kronika January 17, 2020 - 16:42
Një aferë serbe: kur nënkryetari i partisë ngrit kallëzim penal kundër Aleksandër Vuçiqit.

 Plantacioni «Jovanjica» afër qytetit të Stara Pazovës në Serbi në opinionin serb njihej si plantacion i ushqimit organik. Atë e kanë vizituar ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, dhe kolegë të partisë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Por, policia ka zbuluar se ushqimi organik në të vërtetë ishte mariuanë dhe ndërkohë janë konfiskuar disa tonelata mariuanë në plantacionin «Jovanjica». Opozita serbe pretendon se derisa policia po e arrestonte pronarin e plantacionit «Jovanjica», Predrag Koluvija, me të telefonoi rrethi politik dhe familjar i Vuçiqit.

Ndërkohë situata ka eskaluar. Rasti nga mediat ka kaluar në prokurori. Nënkryetari i partisë së Vuçiqit, Millosh Vuçeviq, ka ngritur kallëzim penal kundër kolegëve të tij – kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe vëllait të tij Andrej Vuçiq. Qëllimi i kallëzimit penal, sipas Vuçeviq, është të gjendet e vërteta mbi akuzat e përfaqësuesve të opozitës mbi lidhjen e vëllezërve Vuçiq me Predrag Koluvijan, pronarin e plantacionit me mariuanë. Kallëzimin penal të Vuçeviq opozita e ka quajtur përpjekje për të penguar drejtësinë.

Mbi arrestimin e nëntë personave të dyshuar opinioni mori vesh nga mediat më 14 nëntor. Tek dy javë më vonë policia në një komunikatë theksoi se afër Stara Pazovës është gjetur një laborator ilegal për prodhimin e drogës në kushte artificiale, se janë konfiskuar më shumë se 600 kilogramë mariuanë dhe më shumë se 65 mijë fije të mariuanës, të cilat në gjendje të terur do të peshonin 3,9 tonelata.