Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve se në emër të fajdesë nga i dëmtuari morën 50 mijë euro

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve se në emër të fajdesë nga i dëmtuari morën 50 mijë euro

Kronika October 14, 2019 - 17:28
Detajet

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet gjykimi për fajde dhe detyrim ndaj vëllezërve Bajram, Ismajl, Faton, Ismet dhe Nysret Berisha.

Pesë të akuzuarit po dyshohen se nga i dëmtuari Besim Llugiqi, kishin marrë në emër të fajdesë shumën prej 50.000 euro, ndërsa nga ai kishin kërkuar edhe shumën prej 168.000 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, ka njoftuar se Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), sipas kërkesës së gjykatës, të akuzuarit Faton Berisha, ia kishte caktuar avokatin sipas detyrës zyrtare, Arben Geci, mirëpo i njëjti nuk ishte paraqitur në seancë.

Për shkak se mbrojtja për të akuzuarin Faton Berisha ishte obligative, kjo seancë është shtyrë për të vazhduar me 8 nëntor 2019, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 21 shkurt 2018, Bajram, Ismajl, Faton, Ismet dhe Nysret Berisha, akuzohen se nga marsi i vitit 2015, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, Besim Llugiqi, i kishin dhëne para me fajde.

Në aktakuzë, thuhet se i dëmtuari Llugiqi kishte blerë nga të akuzuarit dy vetura “Audi A4”, në vlerë prej 80.000 euro, në afat pagese prej dy muajsh, mirëpo i dëmtuari Llugiqi, pas dy ditëve kishte arritur që t’ua paguajë 45.000 euro, ndërsa shumën e mbetur nuk ka arritur që t’ua paguajë brenda dy muajsh.

Kështu, në maj 2015, të akuzuarit nga i dëmtuari kishin kërkuar kamatën e fajdesë javore, deri në 3000 euro në javë, ku deri në muajin janar të vitit 2016, i dëmtuari në emër te fajdesë të akuzuarve u kishte paguar shumën prej 30.000 euro.

Ndërsa, që nga janari 2016 e deri në korrik 2017, të akuzuarit e kishin detyruar të dëmtuarin, që nga ta, të blejë tetë vetura të llojeve të ndryshme, të gjitha në shumën prej 280.000 euro, të cilat vetura Llugiqi i kishte shitur me çmime shumë më të ulëta dhe të gjitha ato mjete ua kishte dhënë të akuzuarve.

Po ashtu, në korrik 2017, i njëjti detyrohet t’ua jep edhe banesën që gjendet në Fushë Kosovë, në sipërfaqe prej 70m2, duke bërë kompensimin e kamatave në shumë prej 25.000 euro dhe këtë banesë të akuzuarit ia kishin shitur një personi te tretë.

Sipas prokurorisë, shuma e përgjithshme, që të akuzuarit kishin marrë nga i dëmtuari në emër të fajdesë kishte arritur shumën prej 50.000 euro, ndërsa nga i dëmtuari kishin kërkuar edhe shumën prej 168.000 euro.

Prokuroria pesë të akuzuarit i ngarkon me veprat penale “fajde” dhe “detyrim”. /BetimipërDrejtësi