Prokuroria Speciale e Kosovës: Janë zgjeruar hetimet në veri

Prokuroria Speciale e Kosovës: Janë zgjeruar hetimet në veri

Kronika September 21, 2019 - 16:18
Detajet

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili i ka dalë në mbrojtje të dyshuarit kryesor për vrasjen e Ivanoviqit Millan Radojiçiqit, nënkryetar i Listës Serbe, ka thënë se për ta zbardhur vrasjen e liderit të SDP-së është angazhuar një ekip i specializuar i BIA-s, i cili është duke vepruar në Kosovë, ndërsa kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Sylë Hoxha ka njoftuar se hetimet janë zgjeruar në veri edhe për katër policë të tjerë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

I dyshuari kryesor Millan Radojiçiq në Beograd, nën mbrojtje të autoriteteve serbe

I dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit, Millan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, për pak i ka ikur arrestimit gjatë një aksioni të njësive speciale të Policisë së Kosovës ROSU në veri, ai tani ndodhet në Beograd dhe është vënë nën mbrojtje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ky i fundit ka thënë se është konstatuar se Radojiçiq nuk është i përfshirë në këtë vrasje. Presidenti serb u ka thënë medieve në Beograd se për zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit është angazhuar ekipi elitë i BIA-s serbe.

“Secili, pavarësisht se si quhet, do të arrestohet në momentin që konstatohet se ka marrë pjesë në vrasjen e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq. Për zbardhjen e këtij krimi është duke punuar ekipi elitë i BIA-s, i cili seriozisht është duke luftuar për ta zbuluar të vërtetën. Nuk kemi mundur ta bëjmë shikimin, ndonëse për asnjë sekondë nuk kemi mundur të bashkëpunojmë me Prishtinën e de fakto as me EULEX-in, ne edhe më tutje zhvillojmë hetime shumë serioze dhe besoj që do t’i zbulojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë krim të rendë”, ka thënë Vuçiq, duke ripërsëritur se do të arrestohet secili që konstatohet se ka marrë pjesë në krim.

Vuçiqi tha se është intervistuar vetëm një serb.

“Një serb është intervistuar, ai është Millan Radojiçiq dhe për të është konstatuar se nuk ka marrë pjesë”, ka siguruar Vuçiqi, i cili ka akuzuar partitë politike se janë përpjekur që përgjegjësinë për vrasjen e Ivanoviqit t’ia kalojnë atij.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një deklaratë të mëhershme kishte zbuluar vrasësin e Ivanoviqit, duke drejtuar gishtin te një shqiptar i Kosovës me mbiemrin Ejupi, i përfshirë, siç pati thanë ai, edhe “në hedhjen në erë të autobusit të Nish Ekspres në afërsi të Podujevës”. /ZERI