Vendos Gjykata: Hidhet poshtë aktakuza ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit

Vendos Gjykata: Hidhet poshtë aktakuza ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit

Kronika gusht 19, 2019 - 14:21
Lexoni detajet

Gjykata Themelore në Pejë e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj kryetarin të Pejës, Gazmend Muhaxheri, i cili akuzohet për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar gjykatësi i rastit, Sejdi Blakaj.

Ai ka thënë se është aprovuar kërkesa e të akuzuarit Muhaxheri, për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj tij.

Sipas gjykatësit Blakaj, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari Muhaxheri e ka kryer një vepër të tillë penale.

Ai ka thënë se lidhur me vendimin dhe arsyetimin më të gjerë, palët do të njoftohen me shkrim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 3 maj 2017, Gazmend Muhaxheri akuzohet se më 24 mars 2016, si person përgjegjës, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Pejës, ka refuzuar të ekzekutojë vendimin e plotfuqishëm të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Sipas aktakuzës, pasi që Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar, ankesën e të autorizuarit, debitorit Komuna e Pejës, ndërsa vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës e ka vërtetuar, i pandehuri nuk e ka ekzekutuar vendimin në fjalë.

Sipas këtij vendimi, i dëmtuari Hysni Selmanaj, është dashur të kthehet në vendin e punës si drejtor i Auditorit të Brendshëm, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, e duke i paguar 50% të pagës, nga dita e pezullimit e deri në zbatim të këtij vendimi.

Ndryshe, Komuna e Pejës, e kishte pezulluar nga puna, tani të dëmtuarin Selmanaj, me arsyetimin se më 27.04.2015, kryetari i Komunës së Pejës i është drejtuar Njësisë për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës, me kërkesën për fillimin e hetimeve ndaj Hysni Selmanaj lidhur me dyshimin e bazuar se në mënyrë të kundërligjshme ka bërë tjetërsimin e pronës, shkruan Betimi për Drejtësi.

Pasi që hetimet ndaj tij kishin filluar, siç thuhet në aktvendimin e kryetarit Muhaxheri, duke e pas parasysh pozitën e Selmanajt, është vlerësuar se prezenca e tij në zyrë, i pengon hetimet.