Trafikimi i drogës, një nga aktivitetet e grupeve kriminale në Prishtinë
Foto: Ilustrim

Trafikimi i drogës, një nga aktivitetet e grupeve kriminale në Prishtinë

Kronika May 21, 2019 - 13:40
Lexo Detajet

Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ka publikuar raportin mbi funksionimin e grupeve kriminale që kontrollojnë një korridor, i cili shfrytëzohet për trafikimin e qenieve njerëzore, drogës, armëve, cigareve, makinave etj. Këtë raport do të mund ta lexoni në dy vazhdime në gazetën “Zëri”, ku flitet për grupet kriminale në vend, si dhe në pesë shtetet tjera të Ballkanit, shkruan gazeta "Zëri".

Në raportin e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar potencohet se Prishtina konsiderohet një zonë aktive sa i përket aktivitetit kriminal. Grupet kryesore kriminale në këtë qytet në raport thuhet se zakonisht përbëhen nga ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Njëri nga aktivitetet kryesore të grupeve kriminale të organizuara në Prishtinë është edhe trafikimi i drogës. Për shembull, në dhjetor 2018 Enis dhe Selim Qerka u arrestuan pasi dyshohej se kishin trafikuar 113 kilogramë heroinë nga një pikë e kalimit të kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruhet mes të tjerash në raport.

LEXO EDHE: Korridori i krimit të organizuar në Ballkan

Këtu përmendet edhe rasti i Ukë Rugovës, djalit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, i cili ishte arrestuar më herët për falsifikim të vizave italiane Schengen. “Janë hedhur edhe akuza se grupe të ndryshme kanë falsifikuar dokumente për të përftuar në mënyrë të paligjshme nga tokat në pronësi të shtetit. Po kështu në fshatrat pranë Prishtinës ushtrojnë aktivitetin e tyre disa grupe që merren me dhënien e huave me interesa shumë të larta. Kohët e fundit ka pasur edhe një sërë grabitje bankash në Prishtinë dhe në zona të tjera të Kosovës”, shkruhet në pjesën e raportit për Prishtinën.