Familja e Donjeta Pajazitajt deklarohet pas dënimit me burgim të përjetshëm të vrasësit të saj

Familja e Donjeta Pajazitajt deklarohet pas dënimit me burgim të përjetshëm të vrasësit të saj

Kronika March 26, 2019 - 10:09
Lexo Detajet

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj. Vendimi u mor pasi lënda u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Ky vendim është mirëpritur nga familjarët e Donjeta Pajazitajt. Nëna e saj thotë se tash e tutje do të ndihet më e lehtësuar.

“Rasti është i rëndë. Por pas këtij vendimi të gjykatës ndihemi më të lehtësuar. Gjykata mori një vendim të drejtë dhe ai është dënuar siç e ka merituar”, shprehet nëna e Donjeta Pajazitajt.

Edhe vëllai i Donjetës, Shkëlqimi, thotë se vendimi i gjykatës ishte i drejtë. Ai thotë se ky vendim është dashur të merret më herët.

“Unë po ndihem shumë mirë sepse u dënua një persona që e ka krye një vepër. Kur gjykata ka shpallë vendimin e parë, kemi pasur vuajtje të mëdha. Tash pak a shumë na është lehtësuar vuajtja pas këtij vendimi të ri”, deklaroi Shkëlqim Pajazitaj, përcjell Telegrafi.

Gjykata deri te ky vendim i ri erdhi pasi u paraqitën prova të reja që kanë munguar më herët.

Naser Pajazitaj më herët ishte liruar nga akuza për këtë vrasje, por Gjykata e Apelit më pas e kishte kthyer lëndën për rigjykim.