Tahiri: Kompensimi i Viktimave të Krimit do të avancohet

Tahiri: Kompensimi i Viktimave të Krimit do të avancohet

Kronika March 18, 2019 - 12:14
Lexoni detajet

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka marrë sot pjesë në takimin Publik për Koncept Dokumentin për Fushën e Kompensimit të Viktimave të Krimit.

Ai ka deklaruar se të drejtat e viktimave të krimit janë avancuar me ndryshimin e Projekt Kodit të Procedurës Penale, që aktualisht është në Kuvendin e Kosovës, që sipas Ministrit Tahiri mundëson trajtim të dinjitetshëm ndaj viktimave, duke iu garantuar atyre të drejta në pajtim me standardet më të avancuara ndërkombëtare, njofton ministria.

“Krahas të drejtave për të marrë informata mbi veprën penale, ofrimin e ndihmës mjekësore, përkrahjes psikologjike dhe strehimit alternativ, i kemi kushtuar vëmendje të madhe të drejtës së pakontestueshme për përfaqësim ligjor dhe ndihmë juridike të mirëfilltë”.

“Po ashtu, edhe e drejta për kompensim dhe rimbursim të shpenzimeve të bëra si rezultat i pjesëmarrjes së tij/saj në procedurën penale, është në linje të plotë me vullnetin tonë për të fuqizuar mekanizmin e kompensimit të viktimave të krimit” ka thënë ministri Tahiri.

“Në funksion të Kompensimit të Viktimave të Krimit, Republika e Kosovës nga viti 2017 ka filluar me kompensimin e viktimave, dhe sot kemi programin funksional dhe e themi me mburrje se jemi vendi prijës në rajon sa i përket kompensimit të viktimave të krimit, mirëpo ne nuk do të mjaftohemi me kaq. Do të punojmë që të krijojmë norma dhe mekanizma që jetën e viktimave t’ua bëjmë më të lehtë” ka thënë Ministri Tahiri.