Zhvillime të reja për grabitjen në Istog ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj, ngritet aktakuzë

Kronika February 20, 2019 - 17:48
Lexo Detajet

Prokuroria e Pejës ka ndërmarrë një tjetër veprim për vrasjen e policit Izet Demaj gjatë grabitjes në Istog.

Gjatë ditës së sotme është ngritur aktakuzë ndaj vëllaut të të dyshuarit për vrasjen e policit Izet Demaj.

Ujkan Metaj është personi ndaj të cilit është ngritur aktakuzë nga Prokuroria.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Prokuroria Themelore e Pejës.

“Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër, U.M., për veprën penale të “ndihmës në kryerjen e veprës penale vjedhje grabitqare”, nga neni 328, paragrafi 4, lidhur me nenin 33, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas aktakuzës, i pandehuri U.M., me datën 27 dhjetor të vitit 2018, në filialin e bankës NLB, në Istog, me dashje ka ndihmuar të pandehurin  K.M. (tani i ndjerë), në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabitqare, pasi që paraprakisht kishin planifikuar në hollësi grabitjen e bankës në fjalë, në atë mënyrë që, sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri K.M., merr një pushkë automatike (ASH-78), një revole, një granat dore dhe me pas ja bën me dije të pandehurit U.M., se është gati, i cili merr veturën e të pandehurit K.M., e tipit Golf-4, për ta drejtuar, ndërsa i pandehuri K.M. ulet në pjesën e pasme të veturës, ku gjatë rrugës për në Istog, i njëjti maskon fytyrën, vesh xhaketën e zezë dhe sipër saj pallton me ngjyrë krem, ku me të arritur në Istog, në rrugën “Kadri Keqa”, i njëjti, pasi e fut granatën e dorës në xhepin e palltos, revolen në brez e pushkën automatike nën palltë, del nga vetura, ndërsa i pandehuri U.M., vazhdon rrugën në drejtim të bankës NLB në qendër të Istogut, ku fillimisht e vëzhgon situatën, e pastaj kthehet për në fshatin Shushicë, në pritje për ta lajmëruar i pandehuri K.M. (tani i ndjerë), për të shkuar ta marr të njëjtin.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.