Kontrollorët ajrorë e pezullojnë grevën

Kronika February 16, 2019 - 08:14
Lexo tjera detaje
Image

Greva e filluar më 13 shkurt nga kontrollorët ajrorë në Aeroportin e Prishtinës është pezulluar dje nga Sindikata e Kontrollit të Trafikut Ajror të Kosovës, shkruan Gazeta "Zëri".

Driton Ujkani, zëdhënës i kësaj agjencie, për “Zërin” ka konfirmuar që kjo grevë është pezulluar për nder të Festës së Pavarësisë për të rifilluar sërish më 22 shkurt (e premte).

“Po, greva është pezulluar. Arsyeja është Festa e Pavarësisë dhe që shumë mërgimtarë duan të vijnë në Kosovë për ta pritur këtë festë. Sindikata ka marrë vendim për pezullimin e kësaj greve deri të premten e ardhshme. Ndërsa për veprimet e mëtutjeshme do të njoftoheni me kohë”, ka konfirmuar Ujkani për “Zërin”. Kjo grevë ka filluar më 13 shkurt të këtij viti në shenjë pakënaqësie për futjen e kësaj agjencie në Ligjin për Paga. Për tri ditë radhazi punëtorët e kësaj agjencie kanë protestuar fillimisht nga katër orë e të premten tetë orë kundër futjes së kësaj agjencie në Ligjin për Paga. E si pasojë e kësaj greve shumë fluturime janë shtyrë këto ditë, ku më të dëmtuarit kanë qenë qytetarët, të cilët kanë paguar bileta për udhëtime, shkruan Gazeta "Zëri".

Mërgimtarët të cilët kanë ardhur në Kosovë nuk kanë arritur të kthehen në vendet ku ata jetojnë në kohën e caktuar. Madje ata as nuk kanë qenë të njoftuar që fluturimet e tyre janë shtyrë për një orë tjetër.

“Ne udhëtojmë për në Basel. Fluturimi ka qenë i paraparë të realizohet në orën 13:15 dhe siç shihet është anuluar. Ne nuk kemi marrë asnjë konfirmim dhe nuk jemi informuar as përmes e-mail-it, as përmes telefonit. Ne jemi detyruar që të paguajmë tjera bileta në një kompani për ta realizuar fluturimin në orën 16:00”, ka thënë një qytetar që priste të udhëtonte për në Gjermani.

Në të njëjtën pozitë ishte edhe një qytetar tjetër në Aeroport e që nuk kishte ide as pse i është shtyrë fluturimi.

“Ne kemi pasur të udhëtojmë në Berlin. Fluturimi ka qenë i paraparë për në orën 13:40, tash është shtyrë për në orën 16:40. Nuk kam njohuri se pse ka ndodhur një gjë e tillë”, ka thënë ai për “Zërin”.

Zyrtarë nga ASHNA-ja për “Zërin” kanë paralajmëruar që greva e tyre nuk do të ndalet deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Kontrollit Ajror, Kushtrim Fazliu, ka deklaruar që nëse nuk realizohet kërkesa e tyre kjo agjenci do të hyjë në grevë 24-orëshe.

“Kërkesat tona janë bërë të qarta edhe më herët dhe vazhdojnë të jenë të njëjta. Ne kërkojmë që ASHNA-ja të hiqet nga lista e pagave. Nuk kemi arritur marrëveshje. Ministria e Infrastrukturës është munduar që ta amnistojë vetëm një shërbim të ASHNA-së nga ligji, por te ne janë disa shërbime me rëndësi të veçantë dhe deri tash nuk është arritur asnjë marrëveshje”, është shprehur ai.

E edhe për kryetarin e Sindikatës së Kontrollorëve Ajrorë, Artan Hasani, nëse kjo kërkesë e tyre nuk realizohet çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Kushtetuese.

“Kemi kontakte me politikanë e me udhëheqës të institucioneve. Presim rezultat. Në bazë të veprimeve do të merret vendim edhe për grevën. Ka shumë material që ky ligj të shkojë edhe në Gjykatë Kushtetuese”, ka deklaruar ai.

Ndërsa Ministria e Infrastrukturës është zotuar që do t’i ndërmarrin të gjitha masat për t’i adresuar shqetësimet e kësaj agjencie.

“MIT-i nën udhëheqjen e ministrit Lekaj është i gatshëm që të ndërmarrë të gjitha masat brenda kompetencave të tij, me qëllim të adresimit të të gjitha shqetësimeve të SINKON-it të ASHNA-së. Për më tepër, siç jemi informuar nga ASHNA-ja, greva është pezulluar për Ditën e Pavarësisë, për të vazhduar më pas. Greva e cila po mbahet nga SINKON-i e ASHNA-së rrezikon t’i dëmtojë seriozisht operimet në ANP ‘Adem Jashari’, gjë e cila mund të shkaktojë pasoja të mëdha për vendin tonë”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie të dhënë për “Zërin”.

Dëmshpërblimet për qytetarët sipas MI-së duhet t’i mbulojë Ministria e Financave.

“Fitimin e humbur duhet mbuluar garantuesi, në këtë rast Ministria e Financave - Departamenti Qendror për Partneritet Publiko-Privat”, thuhet më tej në përgjigje./ZERI