Mehmeti intervistohet në cilësinë e të dyshuarit nga Specialja

Kronika January 24, 2019 - 08:07
Lexo tjera detaje
Image

Dje ka përfunduar intervistimi i ish-shefit të Policisë Ushtarake, në zonën operative të Llapit, Nazif Mehmeti nga Prokurorët e Gjykatës Speciale në Prishtinë. Avokati i Mehmetit, ka bërë të ditur për “Zërin” që klienti i tij është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, shkruan Gazeta "Zëri".
 

Për dy ditë radhazi është intervistuar ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit, Nazif Mehmeti, nga Prokurorët e Gjykatës Speciale në Prishtinë. Ai është intervistuar  për krime të pretenduara të luftës. Avokati Tahir Rrecaj, i cili mbron Mehmetin ka thënë për gazetën “Zëri” se klienti i tij është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për kohën gjatë së cilës ka qenë në luftë. “Intervistimi ka shkuar mirë, ka përfunduar sot në orën 14:00. Forma e intervistimit ka qenë korrekte dhe ne ju kemi përgjigjur pyetjeve të prokurorisë. Klienti im është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit”, ka deklaruar Rrecaj dje pas përfundimit të interistimit.

Rrecaj ka thënë që në bazë të pyetjeve të prokurorisë, beson që do të pushojnë hetimet ndaj klientit të tij.  “Nuk na kanë thënë asgjë por në bazë të asaj që unë kam mundur ta vlerësoj në aspektin profesional besoj që nuk do të ketë aktakuzë kundër Mehmetit, shpresoj që prokurori do ta pushoj hetimin kundër tij”, ka thënë tutje avokati Rrecaj.

Intervistimi i Mehmetit i cili kishte qenë i dyshuar edhe më herët për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë është bërë të martën dhe të mërkurën në Zyret e EULEX në Prishtinë. Ndërkohë njohësit e sistemit të drejtësisë vlerësojnë që viti 2019 do të sjell edhe shumë ftesa të tjera ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët janë përmendur në raportin e Dick Martyt. Ata theksojnë që misioni i Gjykatës Speciale do të jetë 10 vite, duke përfshirë edhe periudhën prej kur kjo gjykatë është formuar.

Misioni i Gjykatës Speciale do të zgjasë 10 vite

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj për “Zërin” ka thënë se ngritja e aktakuzave të para varet nga dëshmitë që ka Prokuroria e Specializuar në dispozicion. Ai vlerëson që puna e kësaj gjykate mund të zgjasë deri në 10 vite.

“Ngritja e aktakuzave varet nga fakti se a ka në dispozicion Prokuroria fakte, dëshmi që mund të bindin gjykatën se në këto raste ka dyshim të bazuar se është kryer vepra penale dhe personat e akuzuar janë kryes të tyre. Duke pasur parasysh se këto raste janë komplekse, dhe varësisht se sa persona mund të akuzohen nuk pres që kjo gjykatë ta përfundoj misionin e saj para dhjetë viteve nga koha kur është themeluar”, ka thënë ai.


Ndërkohë duke folur për ftesa të reja, Miftaraj ka thënë që përgjatë vitit 2019 pret që do të ketë edhe shumë ftesa ndaj personave që përmenden në raportin e Dick Martit.

“Me vet faktin që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka filluar me intervistimin e personave të caktuar qoftë në cilësi të dëshmitarëve apo personave të dyshuar, padyshim se gjate vitit 2019 mund të pritet për tu intervistuar edhe persona tjerë të përmendur në raportin e Dick Marty.  Se në çfarë cilësie mund të ftohen varet nga fakti nëse Prokuroria ka dëshmi, prova për ti intervistuar si dëshmitarë apo te dyshuar”, ka theksuar ai.

Hoxha: Priten edhe ftesa të reja nga Specialja

Edhe Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike për “Zërin” ka thënë se pret që Zyra e Prokurorit të Specializuar shumë shpejt të dërgoj edhe ftesa të tjera për intervistim për ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilat sipas saj duhet të bëhen publike.

“Me rastin e dërgimit të ftesave të para nga Gjykata Speciale dhe me intervistimet e para të zhvilluara deri më tani, tashmë është funksionalizuar Zyra e Prokurorit te Specializuar që paralajmëron që e njëjta do të dërgoje ftesa të tjera. Lidhur me përmbajtjen e intervistave të zhvilluara, është e kuptueshme që të njëjtat të mbeten jo publike në këtë fazë të procedurës. Kjo ndikon në zhvillimin e një procedure të drejtë dhe ligjore”, ka thënë ajo.

Hoxha vlerëson që është qenësore që të dihet cilësia në të cilën ftohen personat nga Zyra e Prokurorit. “Sa i përket cilësisë në të cilën janë ftuar të njëjtit, ajo duhet të bëhet publike për arsye se përfaqësimi i tyre mbulohet nga paratë e taksapaguesve kosovar. Në këtë mënyre do të rritej transparenca dhe llogaridhënia e shpenzimit të parasë publike”, ka thënë ajo.

Sa i përket intervistimit, Hoxha thekson që të intervistuarit e Speciales duhet ta qartësojnë nëse janë ftuar për më shume se një rast dhe në me shume se një cilësi, me qëllim që të mos krijohet konfuzitet tek qytetarët e Kosovës.

Koci: Në shkurt do të intervistohet personi i tretë në Hagë

Kurse, Avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Arianit Koci, në një prononcim për mediat në vend ka thënë se gjatë shkurtit do të shkojë për intervistim edhe një i ftuar nga kjo gjykatë. Duke mos dashur ta identifikojë atë, Koci ka thënë se gjatë muajit shkurt do të intervistohet edhe një person që bëhet i treti pas Rustem Mustafës-Remit dhe Sami Lushtakut.

Ndërsa duke folur për organizimin e Gjykatës Speciale, avokati Koci ka thënë se ajo është vazhdimësi e Tribunalit të Hagës.

“Tani kjo strukturë e juristëve e kanë përvojën e Hagës, EULEX, UNMIK-ut dhe gjykatave tona, edhe ne e kemi përgatitur mbrojtjen. Këtu është mbledh ajka e juristëve botërorë, edhe pse jam ndër të parët që e kam kundërshtuar pasi kam menduar se nuk është e drejt të ketë një gjykatë vetëm për një anë”, ka thënë Koci.

Koci ka thënë se mund të ngrihet aktakuzë pa dijeninë e të akuzuarit.

“Teknikisht dikush mund të ketë aktakuzë dhe mos të dijë, pastaj mund të ftohet për të paraqitur faktet për mbrojtje”, ka thënë Koci që ka shtuar se të intervistuarit kanë të drejtë të flasin në gjuhën amtare.


I pyetur se sa mund të zgjasë Gjykata Speciale, Koci nuk pret që të përfundojë shpejtë, duke përmendur edhe procedurën 10 vjeçare të Tribunalit të Hagës.

“Është faza e hetimeve, ngritjes së aktakuzave, gjykimeve dhe rigjykimeve, krejt këto kanë me shku për një kohë të gjatë”, ka thënë ai.