Naser Gashi: Inspektori ATK-së më kërkoi 5500 euro ryshfet

Kronika January 17, 2019 - 18:01
Lexo Detajet

Dëshmitari Naser Gashi ka thënë se inspektori tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) , Bekim Bilalli, atij dhe të dëmtuarit Sherafedin Gashit, u kishte kërkuar ryshfet për kthimin e rimbursimit të TVSH-së.

Këtë deklaratë Gashi, e ka dhënë në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku për marrje ryshfeti po akuzohet inspektori i ATK-së, Bekim Bilalli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Gashi, i cili me të dëmtuarin Sherafedin Gashi, janë në lidhje familjare dhe janë bashkëpronar të firmës “Fresh Fruit” SH.P.K, ka thënë se i akuzuari Bilalli, fillimisht u kishte kërkuar 500 euro për t’ua kthyer mjetet e rimbursimit të TVSH-së dhe pastaj 5.000 euro tjera.

Ai ka thënë se më të akuzuarin Bilalli, ai dhe i dëmtuarin Gashi ishin takuar brenda dhe jashtë objektit të ATK-së, në kafene dhe se kishin biseduar se a do të kryhej rimbursimi në shumë prej 19-20 mijë euro.

Sipas dëshmitarit, Bilalli u kishte thënë se dokumentacioni ishte në rregull, por se u kishte kërkuar para për kthimin e rimbursimit.

“Ai ka thënë diçka duhet me na ofru dhe i kam thënë një drekë munem diçka tjetër nuk ka mundësi…Bekimi ka thënë që jo darkë e drekë, po duhet 500 euro, për mu kry kjo punë për me u kthy rimbursimi”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, ai dhe i dëmtuari Gashi, ishin takuar edhe një herë me Bilallin në një kafene në objekt të ATK-së, dhe se aty ai u kishte thënë se rimbursimi nuk do mund të kryhej me 500 euro, por se duhen 5.000 euro.

“Ai na tha se nuk pe kryejmë me qeto mjete, po duhen 5.000 euro, unë i kam thënë ortak nuk të bëj”, tha ai.

Ai tha se pasi kishin aplikuar për rimbursim të mjeteve në ATK, në formë të shkruar kishin marrë përgjigje negative, me arsyetimin se të gjitha dokumentet kishin qenë në rregull, por që prona në të cilën gjendej firma nuk ishte në emër të biznesit, por në emër të pronarëve.

Sipas tij, edhe pse e kishin regjistruar pronën në emër të firmës, prapë u ishte refuzuar kërkesa për rimbursim.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit së të akuzuarit Bilalli, avokatit Sevdali Zejnullai, ai ka thënë se bashkortaku Nexhip Aliu, kishte qenë në dijeni për të gjitha takimet mes tyre, por nuk kishte qenë në njohuri se Bilalli u kishte kërkuar para, pasi sipas tij, kishin menduar se do tu ktheheshin paratë.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Valbona Musliu-Selimaj se pse nuk i kishte treguar shefit të të akuzuarit Bilalli kur ishin takuar me të se ai po u kërkonte ryshfet, dëshmitari ka thënë se kishte menduar se kjo punë do kryhej.

“80% e personave si na me pozitë dhe me dokumente si na kemi marrë vesh se u janë rimbursuar mjetet, edhe pse kanë qenë me qira. Ne veç pe lypim të drejtën tonë, kthimin e rimbursimeve, kemi 500 fermer që varen prej nesh”, ka thënë në fund dëshmitari.

Dëshminë e tij, në seancën e së enjtes, e ka dhënë edhe udhëheqësi i ekipit të mbledhjeve të detyrueshme në zyrën qendrore të ATK-së, Beqir Gashi, i cili në vitin 2015, kishte qenë udhëheqës i ekipit të kontrollit.

Ai ka treguar për procedurat me rastin e paraqitjes së kërkesës për rimbursim, që sipas tij, tatimpaguesi duhet të bëjë një kërkesë të tillë dhe se në bazat tre mujore kreditimi duhet të ishte më i madh se 3.000 euro.

Sipas tij, kur zyra rajonale e kishte pranuar kërkesën për rimbursim, ekipi menaxhues apo tatimpaguesi e kishte marrë në punë kërkesën si ekip, dhe se procedimi i kërkesës se “Fresh Fruit”, ishte bërë në mënyrë kronologjike dhe se kjo kërkesë sipas tij, i ishte ndarë të akuzuarit Bilalli.

Në pyetjen e avokatit Zejnullahu se a kishte mundësi që inspektori tatimor të ketë ndikim apo të vendosë i vetëm lidhur me kërkesën e rimbursimit, dëshmitari ka thënë se çdo kërkesë fillon të trajtohet nga inspektori tatimor dhe shefi i ekipit, dhe se menaxhmenti regjional, autoriteti i kontrollit dhe drejtori i përgjithshëm ishte në dijeni për këtë kërkesë.

Ai tha se me të dëmtuarin Sherafedin Gashi dhe me dy ortakët e tij, si dhe me të akuzuarin Bilalli ishin takuar në zyrën e tij për të biseduar lidhur me kërkesën për rimbursim.

Sipas tij, pas shikimit të dokumenteve prona ishte evidentuar në emër të njërit prej ortakëve, ndërsa investimet ishin kryer në emër të “Fresh Fruit”, ku pronari i parcelës kishte lidhur kontratën me këtë firmë për shfrytëzimin e objektit dhe parcelës për aktivitet ekonomik, prandaj kjo kompani sipas tij, nuk i kishte plotësuar kushtet për fitimin e rimbursimit.

Ai ka thënë se asnjëherë nuk kishte dëgjuar se i akuzuari Bilalli u kishte kërkuar para për rimbursim të dëmtuarit Gashi dhe dëshmitarit Naser Gashi.

Por, i dëmtuari Sherafedin Gashi tha se edhe pse parcela kishte kaluar në emër të biznesit prapë nuk e kishin marrë rimbursimin, ndërsa dëshmitari tha se në vitin 2015 titullar i pronës nuk kishte qenë kompania “Fresh Fruit”.

Edhe dëshmitari Kemajl Ismaili, i cili është inspektor në ATK, ka thënë se nuk kishte dëgjuar asnjëherë se i akuzuari Bilalli u kishte kërkuar para për kthimin e mjeteve të rimbursimit.

Ai tha se bashkë me Bilallin kishte shkuar në kompaninë “Fresh Fruit”, dhe se detyra e tij kishte qenë vetëm asistim, dhe për të vizituar këtë kompani pasi e njëjta kishte bërë kërkesë për rimbursim.

Ai tha se një inspektor tatimor nuk mund të vendos i vetëm me rastin e rimbursimit.

Pas përfundimit të deklaratës së tre dëshmitarëve, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica caktoi seancën e radhës me 7 shkurt 2019, në ora 11:00.

Sipas aktakuzës së përpiluar më  27 dhjetor 2017, Bekim Bilalli në cilësinë e personit zyrtar në ATK, me qëllim që t’i sjell vetës përftim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Sherafedin Gashi, pronar i firmës “Fresh Fruit” SH.P.K, për kthimin e mjeteve të rimbursimit të TVSH-së.

Sipas aktit akuzues, këtë e ka bërë në mënyrë që i pandehuri, në muajin shtator të vitit 2015, është takuar me të dëmtuarin te kafiteria tek pompa e benzinës te lulishtja në Prishtinë, në afërsi të ATK-së-Prishtina 3, dhe i ka kërkuar 1.000 euro për t’ia kthyer mjetet e rimbursimit të TVSH-së.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se në takimin tjetër i pandehuri i kishte thënë të dëmtuarit “me 1.000 euro nuk kryhet puna qysh jemi marr vesh”, duke kërkuar ryshfet shumën prej 5.000 euro nga i dëmtuari Gashi.